Flash News

KRYESORE

Tenderi 1.5 mln euro për ushqime, Alibeaj tre pyetje Ramës e Xhaçkës: Heshtja nuk e zbeh skandalin

Tenderi 1.5 mln euro për ushqime, Alibeaj tre pyetje Ramës e

Ish-depueti i Partisë Demokratike, Enkeljed Alibeaj, që denoncoi tenderin 1.5 milion euro për ushqime zhvilluar nga Ministria e Mbrojtjes dhe fituar nga një kompani me objekt aktiviteti shitjen e kompjuterave, bëri një tjetër deklaratë nga Selia Blu ku kërkoi sqarime nga qeveria. Sipas Alibeajt “heshtja nuk e zbeh dot skandalin” me paratë dhe ushqimet për shqiptarët.

“Heshtja e Edi Ramës nuk e zbeh dot skandalin me paratë dhe ushqimet për shqiptarët. As sulmet nervoze kundër opozitës, që kërkon transparencë për abuzimet e qeverisë në kohën më të keqe për vendin, nuk janë zgjidhje. Taksapaguesit duan dhe kërkojnë transparencë! Duan që mes klientëve dhe shqiptarëve, Edi Rama të vendosë të parët shqiptarët”, shprehet Alibeaj.

Më tej, ai i kërkoi kryeministrit Rama dhe ministres Xhaçka t`u përgjigjen tre pyetjeve, lidhur zhvillimin e këtij tenderi. “Edi Rama dhe Olta Xhaçka duhet t’u përgjigjen disa pyetjeve shumë të thjeshta:  Pse zgjodhën për t’i dhënë miliona një kompanie kompjuterash nga Maqedonia dhe pse përjashtuan 35 mijë kompani shqiptare, që plotësojnë kriteret e tenderit për ushqimin? Nga e dinte Olta Xhaçka që kompania e kompjuterave nga Maqedonia ishtë kthyer papritur dhe në tregtuese ushqimesh vetëm 6 ditë para shpalljes së tenderit?

Edi Rama duhet t’u thotë shqiptarëve që e kanë bosh frigoriferin dhe dollapin e bukës pse duhet të priste 3 javë për të bërë tenderin me negocim për ushqimet e rezervave të shtetit? Edi Rama duhet të bëjë transparencë dhe të japë përgjigje pyetjeve për tenderin 1.5 milionë eurove të ushqimeve.

Sulmet ndaj opozitës dhe gjuha e urrejtjes nuk mbushin barkun me bukë të shqiptarëve, nuk ngrohin shtëpitë e tyre, nuk çojnë para në xhepat bosh të shqiptarëve”, tha Alibeaj. Opozita ka akuzuar qeverinë, konkretisht Ministrinë e Mbrojtjes, se ka zhvilluar një tender për blerje ushqimesh me vlerë 1.5 milion euro. Sipas opozitës, kompania fituese e këtij tenderi është një kompani nga Maqedonia e Veriut, e cila kishte objekt tregtar shitjen e kompjuterave. Ndërkohë, vetëm 6 ditë para zhvillimit të tenderit kompania shtoi edhe shitjen e produkteve ushqimore, sipas opozitës.

Të fundit