Flash News

OP-ED

Vizioni i Makronit apo BE që nuk mund të ecë dhe të përtypë çamçakëz në të njëjtën kohë

Vizioni i Makronit apo BE që nuk mund të ecë dhe të

Boshko Jakshiç/ gazeta „Politika“

Pak prej nesh janë sot të gatshëm të kapërcejnë atë mençurinë konvencionale të përgjumur duke ofruar vizion strategjik që mban parasysh edhe ndryshimet radikale të rendit global.

Një nga të rrallët mund të jetë edhe Emanuel Makroni. Presidenti francez impononet me diplomacinë e tij hiperaktive si lider i Bashkimit Europian në shekullin 21. Një pjesë e vëzhguesve dhe analistëve e lavdërojnë, shumë syresh, sidomos nga Europa, e kritikojnë.

Askush nuk ia kundërshton Makronit vizionin dhe ambicjen kolosale që ai e bazon në shembullin e ish presidentit Sharl de Gol. Pikërisht emri i gjeneralit të ndjerë sjell në diskutim dilemën: a është vërtetë se Makroni është mishërimi i rregjimit degolian, apo thjesht një përpjekje degoliane që t’i kthejë Francës shkëlqimin e humbur duke e distancuar kësisoj nga NATO, Amerika apo projekti i integrimeve europiane? Sa më të mëdha janë ambicjet e tij, aq më shumë rritet rreziku që ai të shtyhet në izolim. E këshillojnë, nëse nuk do të shkojë tejet larg, të mos ndjekë frazën e atij mbretit francez “Europa, jam unë“.

Pakundërshtimisht energjik, Makroni përsërit se liderët e Europës nuk guxojnë të mbështeten në fraza boshe dhe në dëshira të përshpirtëshme, por zëri i tyre duhet të gjëmojë fort, madje edhe me çmimin se mund të shokojnë ndokënd apo të kuptohen në mënyrë të gabuar. Kur tha frazën e famshme se NATO është “e vdekur nga truri” e hodhi dorezën matanë Atlantikut dhe sfidoi presidentin amerikan i cili gjithnjë e hapatazi po bëhet kërcënim për demokracinë liberale ndërsa aleatët amerikanë në tregti i quan “armiq”. Me këtë përshkrim brutal për NATO-n, Makroni me siguri largoi nga vetja një pjesë të europianëve që përmblidhen në- vendet e Balltikut, shtetet e Grupit të Vishegradit, dhe në mënyrë të veçantë Poloninë- që mendojnë se ai po harron telashet e sigurisë së Lindjes europiane të cilët shohin te Amerika mbrojtjen e vetme nga Rusia dhe “dragoi kinez” që po gëlon me investime.

Presidenti Makron, i cili është i vetmi që nga vitit 1958 që hyri në Pallatin Elize duke mos i përkitur asnjërës prej partive tradicionale, nuk e çan kokën për tabutë. Në momentin kur të gjithë bien dakord me faktin se BE-ja e ka të domosdoshme ripërkufizimin, ai pothuajse i vetmuar shkund strukturat ekzistuese dhe e mbulon Brukselin me propozime për reforma.

E pushtuar nga kriza e politikës, Europa është e ndarë në liberale dhe joliberale. Mund të qetësohemi se Lega italiane dhe partia austriake e lirisë janë jashtë qeverive përkatëse, se Fides-i hungarez dhe partia polake e drejtësisë dhe së drejtës kanë humbur pushtetin në Budapest dhe në Varshavë, por jemi larg nga ajo kur mund të themi se janë eleminuar rreziqet e populizmit të djathtë. Alarmuesi politik nga Parisi tani për tani pret më kot një përgjigje përkatëse nga Berlini, i cili ndan me Makronin shqetësimin për efikasitetin e marrëdhënieve transatlantike, por me sa duket Anxhela Merkeli është ende nostalgjike për kohët kur Franca kishte një president të dobët dhe Gjermania kancelar të fuqishëm.

Në diplomaci, më shumë se kudo tjetër, ka rëndësi stili, ndërsa Makroni shumë vetave nuk u pëlqen. Nuk është se nuk janë dakord me diagnozat e tij, por sepse stilin e tij e quajnë “joeuropian”. U duket shumë a la française. Makroni nuk është i frustruar vetëm nga paparashikueshmëria e Trampit, por edhe nga parashikueshmëria, madje edhe pasiviteti, i Merkelit. Do të ketë përsëri qitje në linjën franko-gjermane. I paralajmëroi, askush tjetër veçse, presidentja e Komisionit Europian. Makroni dëshiron t’i pastrojë gjërat brenda BE-së, të riskicojë raportet me Moskën, i vetëdijshëm se Trampi do të sanksionojë çdo punë të madhe franko-gjermane, sikurse vendos masa ndëshkuese për firmat që po ndërtojnë “Rrymën e Veriut 2”.

Megjithatë, çfarë është e pasaktë në vlerësimin e tij se Europa duhet të shohë më tepër veten, se Bashkimi Europian duhet të jetë më i mirë dhe më efikas? Që të jetë kështu, më parë duhet të reformohet, të bëjë një pauzë dhe të përcaktohen prioritetet e reja për zgjerimin. Në meny gjenden dy BE dhe ky fakt fut konfuzion në radhët e vendeve kandidate për antarsim. Cilën BE duam? Shumë liderë të Ballkanit Perëndimor më me gëzim i hedhin sytë për nga Orbani autoritar apo klero-nacionalistët e Kacinskit sesa drejt promotorëve të demokracisë liberale mbi të cilën është themeluar BE-ja.

Kjo ende nuk jep një përgjigje të caktuar për mënyrën se si e sheh Makroni këtë rajon. A është Ballkani, pas gjithë asaj që ndodhi në vitet nëntëdhjetë të shekullit të kaluar, “avangarda tragjike e Europës”, sikurse e përcakton një kulturolog slloven, a zgjon ai interes vetëm kur shfaqet Rusia, Kina apo Turqia, apo Europa dëshiron të rrafshojë hapësirën e saj gjeografike mbi bazën e vlerave të vërteta në të cilat është grumbulluar në kohën e formimit? Makroni ndryshon prioritetin e procedurave të zgjerimit dhe në vend të parë vendos ndërtimin e shtetit të së drejtës, institucioneve të fuqishme dhe të pavarura dhe mediat e lira. Mjaft me “fraza boshe dhe fjalë të përshpirtëshme”.

Sikur BE-ja deri tani të kishte këmbëngulur në shtetin e së drejtës, nuk do të ishim në situatën që jemi tani, të viteve të humbura, por gjithsesi nuk është vonë. Stili direkt i Makronit neve do të duhet të na pëlqejë më shumë sesa frazat e sheqerosura që për vite të tëra kemi dëgjuar nga Brukseli dhe nga koleksioni i emisarëve të saj që i binin kryq e tërthor rajonit tonë. Do të duhej sikur ministrja serbe e integrimit, duke vërtetuar kursin dhjetëvjear nga evitimi i refomave thelbësore, të mos thoshte se kjo nuk i përket Serbisë. Këta që janë sot në pushtet do të dëshironin që të merreshin me tema të mëdha europiane si puna e ndalimit të pjekjes së mishit me qymyr druri, dhe të evitojmë reformat e vërteta.

Ka mjaft arsye që vizioni koherent i Makronit për shkundjen e Unionit dhe të këtij rajoni të qëndrojë dhe ai të mos bjerë në izolim. Nuk është përcaktimi i Serbisë “tejet proeuropian”, siç thotë një analist. Ajo është tejet pak proeuropiane, dhe për këtë fajin e mban Brukseli i udhëhequr nga anemikja Federika Mogerini.

Me një amendament: proceset e reformave të brendshme të Unionit dhe ajo e zgjerimit duhet të ecin në mënyrë simultane. Të mos lejojmë që BE të na kujtojë atë frazën e vjetër mbi ish presidentin amerikan Xherald Ford, për të cilin thuhej atëbotë se nuk është në gjendje të përtypë çamçakëz dhe njëkohësisht të ecë.

*Përktheu për Politiko.al: Xhelal Fejza

 

Të fundit