Flash News

KRYESORE

Vrasja e Indrit Çelajt/ Gjykata e Tiranës jep masën e dënimit për katër të arrestuarit, mes tyre dhe pronari i vilës

Gjykata e Tiranës ka dhënë masën e dënimit ndaj katër personave të arrestuar, një ditë pas vrasjes me plumb në kokë të 26-vjeçarit Indrit Çelaj, në vilën ku punonte si teknik për montimin e kondicionerëve në vilën në pronësi të Bujar Kusit në rrugën ‘Muhamet Gjollesha’ në kryeqytet.

Konkretisht, gjykata vendosi masën “arrest me burg” për:

Bujar Kusi-pronar i vilës ku ndodhi vrasja

Ferdinand Bakalli

Ali Sula

Ndërsa, ‘arrest shtëpie’ u vendos për Luan Çakajan, si person që rezulton të mos e ketë parë direkt ngjarjen.

Pronari Kusi, akuzohet për ‘pengim të zbardhjes të së vërtetës’, ndërsa tre të tjerët për “moskallëzim krimi”.

Ndërkohë, dy djemtë e pronarit, Albano dhe Griseldo Kusi janë shpallur në kërkim nga policia një ditë pas ngjarjes, si të dyshuarit kryesor për vrasjen e të riut Indrit Çelaj.

Një ditë më parë u dha masa “arrest me burg” edhe për Lorenc Veliajn, i cili ishte personi kyç i zbërthimit të ngjarjes. Kjo pasi 27-vjeçari u cilësuar nga policia fillimisht si autor i vrasjes. Pas dëshmisë rezultoi se Veliajt, i ishte kërkuar nga dy vëllezërit Kusi, aktualisht në arrati, që të merrte përsipër fajin e vrasjes, për shkak se ai rezultonte me precedent të mëparshëm penal për trafik droge dhe armëmbajtje pa leje. Me dy vëllezrit 27-vjeçari kishte lidhje të hershme shoqërore.

Indrit Çelaj ndërroi jetë tri ditë më parë në Spitalin e Traumës, pak orë pasi u qëllua me pistoletë pas një sherri banal.

Të fundit