Flash News

KRYESORE

Xhufi rrëfen telefonatën e fundit me Moikom Zeqon: Mbingarkesa e spitaleve nga covid-19 i vonoi kurat; pse u braktis nga qeveritë

Historiani Pëllumb Xhufi ka rrëfyer bisedën e fundit në telefon me personalitetin dhe studiuesin Moikom Zeqo, i cili u shua mëngjesin e djeshëm pas një sëmundjeje të rëndë në moshën 71-vjeçare.

Në një bisedë me ‘gazetën panorama’, Xhufi thotë se në telefonatën e fundit me Zeqon e ndjeu zërin e tij se nuk ishte mirë.

Sipas tij, kurat ndaj sëmundjes u vonuan për shkak të mbingarkesës së spitaleve prej pandemisë covid-19.

“Para një jave më telefonoi për të më thënë se ishte shtruar në spital. U trishtova shumë, edhe pse kishim vetëm dy ditë që ishim takuar. E ndjeva nga zëri i fikur që Moikomi nuk ishte mirë. Kishte bërë kurën e fundit të kimioterapisë, që për fat të keq, e kishte goditur rëndë. Kurat u bënë disi me vonesë, për shkak të bllokimit të spitalit prej koronavirusit. Ndoshta edhe prej kësaj vonese rezultoi që kura të ishte tepër e rëndë për të, duke i dëmtuar organe të brendshme”, thotë Xhufi.

Akademiku Xhufi sjell në vëmendje kontributin e Moikom Zeqos përgjatë viteve dhe pse u la papunë dhe u braktis nga qeveritë.

“Ai ka qenë prezent në mediat e shkruara dhe vizive për probleme nga më të ndryshmet. Vështirësitë e ndërtimit të demokracisë, probleme sociale, të polarizimit të shoqërisë, të konflikteve sociale, të korrupsionit politik, ekonomik etj. Ne kemi qenë veçanërisht afër në një periudhë të vështirë për Moikomin, përpara se të sëmurej. Ndonëse në moshë ende të re, ai u braktis nga shteti dhe u la i papunë. E lanë të papunë si qeveritë e djathta, ashtu edhe qeveritë e majta, që erdhën pas viteve 1997. Mesa duket ishte njeri i papëlqyeshëm me ndershmërinë e tij, me të qenit i hapur dhe besnik në idetë e tij. Të gjitha këto, si duket prishnin qejfin e mjediseve të caktuara politike, të cilat në njëfarë mënyre u hakmorën duke e lënë Moikomin, këtë intelektual të rrallë multidisiplinor që ishte kompetent në disa fusha, të dilte në pension para kohe, për më tepër me një pension minimal”, thotë historiani.

Të fundit