Flash News

KRYESORE

4 korriku/ 244-vjetori i pavarësisë së SHBA-së, dita që gdhendi fjalët më të fuqishme në historinë e Amerikës

4 Korriku 1776 është një ditë e shënuar për amerikanët.

Në këtë ditë delegatët nga 13 kolonitë e Shteteve të Bashkuara miratuan Deklaratën e Pavarësisë, hartuar nga Thomas Jefferson e duke njoftuar shkëputjen nga Britania.

Kështu, këtë vit amerikanët festojnë 244-vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Shteteve të Bashkuara.

Deklarata e Pavarësisë është një nga simbolet e lirisë, dhe më të dashura e të nderuara të Shteteve të Bashkuara, u ratifikua nga Kongresi Kontinental më 4 korrik 1776.

Rebelimi i Shteteve të Bashkuara kundër britanikëve kishte filluar një vit më parë, më 1775 dhe vazhdoi derisa Shtetet e Bashkuara dhe Britania nënshkruan Traktatin e Parisit në vitin 1783, i cili zyrtarisht njohu pavarësinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Deklarata e pavarësisë, fjalët më të fuqishëm në historinë amerikane

Ata formuan një shtet të ri, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. John Adams ishte një udhëheqës në shtyrjen për pavarësi, e cila u miratua më 2 korrik me asnjë votë kundër. Një komitet prej pesë personash kishte hartuar deklaratën formale, që do të ishte gati kur Kongresi të votonte për pavarësinë. Termi "Deklarata e Pavarësisë" nuk është përdorur në dokument.

John Adams bindi komisionin të zgjidhte Thomas Jefferson për të hartuar draftin origjinal të dokumentit, të cilin Kongresi do ta redaktonte për të prodhuar versionin përfundimtar. Deklarata ishte në fund të fundit një shpjegim formal pse Kongresi kishte votuar më 2 korrik të shpallë pavarësinë nga Britania e Madhe, më tepër se një vit pas shpërthimit të Luftës Revolucionare Amerikane. Ditën tjetër, më 3 korrik, John Adams i shkroi gruas së tij Abigail: "Dita e dytë e korrikut 1776, do të jetë epoka më e paharrueshme në historinë e Amerikës" Por ditëlindjen kombëtare, Dita e Pavarësisë, festohet më 4 korrik, data kur u nënshkrua Deklarata e Pavarësisë.

Pas ratifikimit të tekstit më 4 korrik, Kongresi nxori Deklaratën e Pavarësisë në disa forma. Ajo u botua fillimisht si fletushkë që u shpërnda dhe u lexua gjerësisht për publikun. Kopja e përdorur për këtë fletushkë ka humbur, dhe mund të ketë qenë një kopje në duart e Thomas Jefferson. Drafti fillestar i Jefferson, të plotë me ndryshimet e bëra nga John Adams dhe Benjamin Franklin, dhe shënimet e Jefferson të ndryshimeve të bëra nga Kongresi, janë të ruajtura në Bibliotekën e Kongresit.

Versioni më i njohur i Deklaratës, një kopje e nënshkruar që është konsideruar gjerësisht si dokument zyrtar, ndodhet në Arkivat Kombëtare në Uashington DC. Kjo kopje u urdhërua nga Kongresi më 19 korrik, dhe u nënshkrua kryesisht më 2 gusht.

Burimet dhe interpretimi i Deklaratës kanë qenë subjekt i shumë hetimeve shkencore. Deklarata justifikoi pavarësinë e Shteteve të Bashkuara duke renditur ankesat koloniale ndaj Mbretit George III, dhe duke pohuar disa të drejta natyrore dhe juridike, duke përfshirë edhe të drejtën e revolucionit.  Abraham Linkolni e bëri Deklaratën epiqendrën e retorikës së tij (si p.sh. në fjalimin e Getisburgut 1863), dhe politikat e tij. Që atëherë, është bërë i mirënjohur pohimi për të drejtat e njeriut, në veçanti fjalia e dytë:

Ne i konsiderojmë këto të vërteta si të vetëkuptueshme, se të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë, se ata janë pajisur nga Krijuesi i tyre me të drejta të patjetërsueshme, se midis këtyre të drejtave janë Jeta, Liria dhe kërkimi i Lumturisë.

Kjo është quajtur "një nga fjalitë më të njohura në gjuhën angleze", që përmbajnë "fjalët më të fuqishëm dhe rrjedhimore në historinë amerikane".

Pasazhi përfaqësonte një moral standard për të cilin duhej të përpiqeshin Shtetet e Bashkuara. Kjo pikëpamje u promovua sidomos nga Linkolni, i cili e konsideroi Deklaratën si themel të filozofisë së tij politike, duke argumentuar se Deklarata është një deklaratë e parimeve mbi të cilat duhet të interpretohet Kushtetuta Shtetet e Bashkuara.

Deklarata e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara frymëzoi shumë dokumente të tjera të ngjashme në vende të tjera në shekujt e 18-ë dhe 19-të, duke u përhapur në Vendet e Ulëta, dhe pastaj në Karaibe, Amerikën Spanjolle, Ballkan, Afrikën Perëndimore dhe Evropën Qendrore në dekadat deri në 1848.

Rastësia e tre presidentëve të Amerikës me 4 korrikun

Dita e Pavarësisë në SHBA festohet me parada madhështore, festime familjare dhe mbyllet me hedhjen e fishekzjarrëve, por për shkak të pandemisë këtë vit distancimi dhe mbrojtja nga covid-19 festimet kanë tjetër formë.

Vlen të përmendet edhe një rastësi e rrallë se Thomas Jefferson dhe John Adams, të dy nënshkruesit e Deklaratës së Pavarësisë, që më vonë të shërbenin si presidentë të Shteteve të Bashkuara, të dy vdiqën në të njëjtën ditë: 4 korrik 1826, që ishte 50 vjetori i Deklaratës.

Megjithëse nuk ishte nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë, edhe James Monroe që u zgjodh si president, vdiq gjithashtu më 4 korrik 1831. Ai ishte presidenti i tretë që vdiq në përvjetorin e pavarësisë.

Lexo edhe : “Ky vit nuk është si asnjë tjetër”, Yuri Kim mesazh për 4 korrikun dhe Reformën në Drejtësi: Kërkon kohë për rezultate

Të fundit