Flash News

KRYESORE

Balla ndan shqetësimin me ambasadoren Kim: Pak biznese amerikane investojnë në Shqipëri, krahasuar me ofertat tona tërheqëse

Taulant Balla, kreu i Grupit Parlamentar socialist, ka zbardhur takimin  e zhvilluar sot me ambasadoren amerikane Yuri Kim.

Përmes një postimi në Facebook, Balla shkruan se marrëdhëniet me SHBA janë të rëndësisë parësore në nivelin e partneritetit strategjik dhe përbëjnë themelin e politikës sonë të jashtme.

Më tej nënvizon nevojën për rritje të bashkëpunimeve të drejtpërdrejta amerikane në sektorin e ekonomisë.

Për Ballën shqetësim mbetet numri i bizneseve amerikane, apo me kapital të përbashkët shqiptaro-amerikan, është ende shumë i vogël krahasuar me mundësitë dhe ofertën tërheqëse të Shqipërisë për sipërmarjen amerikane.

"Bashkëpunimi me SHBA është sot në një nivel të shkëlqyer në dobi zhvillimeve demokratike, të forcimit të shtetit ligjor dhe të parimeve të ekonomisë së tregut, në mbështetje të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, të ruajtjes së stabilitetit, paqes e prosperitetit në rajonin tonë e më gjerë, të luftës kundër terrorizmit.

Mbështetja që SHBA i ka dhënë gjatë gjithë këtyre viteve Shqipërisë nëpërmjet agjencive të saj për ndërtimin e institucioneve dhe krijimin e parametrave të tregut të lirë, duhet të shoqërohet tashmë me investime të drejtpërdrejta amerikane veçanërisht në sektorët strategjikë e ata prioritarë të ekonomisë shqiptare.

Realizimi i këtij synimi duhet të jetë një prioritet thelbësor, i dorës së parë në marrëdhëniet tona me Shtet e Bashkuara të Amerikës. Numri i bizneseve amerikane, apo me kapital të përbashkët shqiptaro-amerikan, është ende shumë i vogël krahasuar me mundësitë dhe ofertën tërheqëse të Shqipërisë për sipërmarjen amerikane”, shkruan Balla në Facebook.

 

Të fundit