Basha në mbledhjen e Kolegjit të Kryetarëve: Zgjedhjet pa opozitën janë farsë

Në mbledhjen e Kolegjit të Kryetarëve, në të cilën u vendos data e protestës së ardhshme të opozitës së bashkuar, kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha u ndal te zgjedhjet lokale, të cilat i cilësoi një farsë, për faktin që opozita nuk do jetë pjesë e saj.

“Zgjedhjet pa opozitën janë farsë. Ne nuk do të lejojmë më që zgjedhjet në Shqipëri t’i organizojë dhe diktojë krimi. Zgjedhjet do të mbahen pasi të ndëshkohen hajdutët e votave të vitit 2017. Me Edi Ramën dhe me Dakon e Gjiknurin në krah të tij, nuk mund të ketë zgjedhje të lira as sot, as mot. Prandaj largimi i tij i hap rrugë zgjidhjes politike që kemi kërkuar ne, opozita e bashkuar dhe legjitime e Shqipërisë, për të hapur dialogun me qeverinë e re tranzitore për masat që duhen marrë për të krijuar kushtet për zgjedhjet.

Vetëm zgjedhjet e lira do t’i kthejnë legjitimitetin institucioneve, në kushtet kur Gjykata Kushtetuese nuk ekziston prej një viti e gjysmë, Gjykata e Lartë nuk funskionon, Prokuroria e Përgjithshme ështe e paligjshme dhe kur Parlamenti ilegjitim është kthyer në vegël të krimit dhe oligarkisë që po grabisin dhe shkatërrojnë vendin duke mbjellë mjerim dhe pasiguri kudo. Kolegji i Kryetarëve ka vendosur për mbajtjen e protestës kombëtare të 11 majit si një përballje popullore për të treguar se shqiptarët refuzojnë kategorikisht të vidhen dhe të qeverisen nga krimi. Fatura do të jetë vetëm e Edi Ramës”, është shprehur Basha.

Kolegji i Kryetarëve ka vendosur edhe për përshkallëzimin e aksionit opozitar, duke nisur me protesta rajonale në akset kryesore kombëtare nga kjo e enjte.