Flash News

BLOGU I EKONOMISË

Me gjithë këtë gjurulldi që po ndodh me hakerimin e llogarive bankare, a mos është më mirë që t’i tërheqim paret nga bankat e t’i mbajmë në shpi? Na ka kap frika mos po i humbim të gjitha.

Me gjithë këtë gjurulldi që po ndodh me hakerimin e

I nderuar lexues,

Në asnjë rast nuk rekomandohet mbajtja e parave fizike në ambjentet e shtëpisë pasi ka humbje financiare edhe fizike. Humbjet financiare kanë të bëjnë me humbjet që i vijnë kursimtarit nga fitimi i munguar (nëse nuk i mban në sistemin financiar, nuk fiton asgjë) apo nga inflacioni (zhvlerësimi i parasë), i cili bën që me të njëjtën sasi parash nuk mund të bleni të njëjtën sasi mallrash në periudha të ndryshme kohore. E thënë më thjeshtë 100.000 leke të reja në sirtar në shtëpi nuk kanë teorikisht të njëjtën vlerë pas një viti, pasi keni humbur fitimin nga interesat, si dhe ju janë zhvlerësuar nga inflacioni e nuk blini dot po aq mallra. Ndërkohë që ka edhe rreziqe të tjera fizike që sjellin humbjen e kursimeve sic janë zjarri apo tërmeti, problematika me të cilat mjaft shqiptarë janë përballur në vitet e fundit.

Sa i përket problemit të hakerimit të disa sistemeve bankare, duhet thënë se cështja është shqetësuese për bankat (humbja e besimit, tërheqjet e parave nga qytetarët në panik, kostot e sistemeve, apo investimet që duhet të bëjnë për të rritur nivelin e sigurisë etj.), por në nivel krejt minimalist është shqetësuese për konsumatorët dhe depozituesit. Kjo sepse për shkak të kërkesave ligjore, bankat janë të detyruara të klonojnë (kopjojnë) të dhënat bankare në të paktën dy vende të tjera për të pasur mundësinë e riprodhimit të transaksioneve në rast se ndodhin probleme të ngjashme apo fatkeqësi natyrore (tërmete). Me fjalë të tjera, të gjitha bankat i klonojnë të dhënat e tyre në mënyrë të sigurtë dhe periodike (zakonisht cdo 30 apo 60 minuta) në vende apo sisteme të tjera të sigurta. Pra, edhe në këtë rast nuk dihet të ketë asnjë humbje të të dhënave dhe bankat ligjerisht vijojnë të kenë të njëjtat përgjegjesi ligjore karshi klientëve të tyre. Për rrjedhojë nuk ka asnjë nevojë për panik. Nëse shuma e kursimeve tuaja është nën nivelin e 2.500.000 lekë të reja, atëherë jeni krejtësisht i mbrojtur edhe në rastin më ekstrem të mundshëm pasi institucioni shtetëror përkatës (Agjencia e Sigurimit të Depozitave) ju rikthen kursimet tuaja në cdo qindarkë. Kini besim tek institucionet financiare të licensuara dhe mbikëqyrura nga rregullatorët. Mos bëni panik dhe mos merrni vendime të nxituara pa u konsultuar më parë më ekspertë të fushës.

U përgjigj Artan Gjergji. Lexo biografinë e tij.

*.*.*

Keni një pyetje për ekspertët tanë? Dërgojeni duke klikuar këtu!

*.*.*

Refuzim për Përgjegjësi Ligjore (Disclaimer)

Kjo faqe interneti dhe blog me pyetje përgjigje është një rubrikë me karakter informativ, e cila në vetvete ka për qëllim informimin dhe edukimin pa pagesë të qytetarëve, në lidhje me cështje të ndryshme ekonomike e financiare. Portali Politiko dhe Ekspertët që u përgjigjen pyetjeve të qytetarëve, as vec e vec e as së bashku, nuk marrin asnjë përgjegjësi ligjore për cdo veprim që ndërmerret dhe/apo keqpërdoret nga kushdo bazuar në informacionin e shpërndarë në këtë blog/rubrikë për qëllime edukative dhe informative.

Të fundit