Flash News

E-TJERA

Kim Mehmeti prorosi protestuesve: Jeni investimi më i madh strategjik që është bërë në Shqipëri

Kim Mehmeti prorosi protestuesve: Jeni investimi më i madh strategjik

Shkrimtari dhe publicisti Kim Mehmeti ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale lidhur me protestat që po zhvillohen prej ditësh në Tiranë e më gjerë.

Në mesazhin e tij në rrjetet sociale, Mehmeti i cilëson protestuesit si “investimin më të madh strategjik” për Shqipërinë, ndërsa u bën thirrje të vazhdojnë mobilizimin dhe të mos dekurajohen nga kritikat apo sulmet ndaj tyre.

Sipas tij, zëri i tyre përfaqëson shpresën për ndryshim dhe një mundësi për t’i dhënë fund asaj që ai e quan degradim të jetës politike në vend.

"Bëhuni gjithnjë e më shumë, sepse kështu e zbukuroni Shqipërinë dhe vetëm kështu do ta mposhtni Piktorin, i cili nuk e kursen as familjen e Presidentit amerikan për ta mbuluar fytyrën vetjake të shkatërrimtarit të shqiptarisë.

Brohorimat tuaja kundër plehut politik tridekadësh, që ka mbuluar mëmëdheun, janë ftesa më e sinqertë për investitorët e huaj dhe investimi më i madh strategjik që ndonjëherë është bërë në Shqipëri.

Jo vetëm se po e largoni plehun politik që e ka mbuluar dhe po e kalb Shqipërinë, por ju po e shpëlani edhe mëkatin e gjeneratës sime, e cila ju la në duart e burrështetasve, të cilëve nuk do t’u besohej as një fermë pulash, ngaqë do t’i hanin shpendët dhe do t’i vidhnin vezët.

Mos bini pre e “mendjendriturve” të shumtë që dalin nëpër ekranet e televizioneve të financuara nga krimi, duke e mbrojtur Piktorin, sepse ata për këtë paguhen dhe, nëse bie punëdhënësi i tyre, ata mbeten pa grazhdin ku majmen dhe pa baltën e turpit, ku përpëliten si derra.

Jo vetëm tani, por gjithmonë, Shqipëria do të mburret me ju e do të turpërohet nga ata që sot duan ta heshtin dhe ta komprometojnë zërin tuaj të sinqertë rinor, i cili mëmëdheut ia freskon damarët e shpresës dhe krenarisë", shkruan ai. 

Të fundit