Flash News

E-TJERA

Pse SPAK nuk nxjerr emrin e zyrtarit të lartë të qeverisë Rama që ka qenë në takimin e ‘Arubës’?

Pse SPAK nuk nxjerr emrin e zyrtarit të lartë të qeverisë

Një operacion i finalizuar ditën e premte nga Prokuroria e Posaçme SPAK fliste për tonelata të tëra kokaine dhe hashashi të trafikuara nga vendet e Amerikës Latine dhe Shqipëria drejt vendeve të Bashkimit Europian.

Paralelisht me aktivitetin kriminal, dy grupet kriminale që drejtoheshin nga Artur alias Luçiano Koçeku dhe Alfredo Hamzaj pastronin paratë e drogës në ndërtime të kryera kryesisht në Tiranë dhe në zonën e bregdetit të Jugut.

Një dosje hetimore e marrë nga autoritetet belge, spanjolle dhe italiane, të cilat në vitet 2021-2022 finalizuan operacionin e koduar “Shqiponjat e Zeza”, solli në vëmendje edhe Feliks Osmanin së bashku me tre vëllezërit e tij.

Aktet hetimore që çuan në arrestimin dhe gjykimin e disa personave në këto shtete u sollën më pas në Shqipëri, ku për afro gjashtë vite u plotësuan me biseda të aplikacionit “Sky”, dëshmi bashkëpunëtorësh të drejtësisë si Erjon Alibej dhe prova të tjera, duke çuar në 20 masa arresti dhe sekuestrimin e pasurive me vlerë qindra milionë euro.

Në këtë dosje ka dalë edhe bashkëpunimi që kishte Artur Shehu me vëllezërit Osmani. Por po ashtu janë zbuluar edhe takimet e zhvilluara në Aruba, emrat e pjesëmarrësve të të cilave u publikuan nga gazetarë belgë dhe italianë që në vitin 2022.

“Në këto takime, ndër të tjera dhe në shkallë të ndryshme pjesëmarrjeje, marrin pjesë shtetasit Adrian Rama, Elton Memeti, Erjon Rama, Leonard Bishaj, Bujar Shehaj, Alfredo Hamzai dhe Pëllumb Petritaj”, thuhet në dokumentet hetimore.

Një seri takimesh të zhvilluara në Majorka gjatë vitit 2019 mblodhën disa prej figurave kryesore të grupit, mes tyre Adrian Rama, Elton Memeti, Toni Lipaj, Artur Shehu, Arben Ismailaj, Klodjan Jahja dhe Bujar Shehaj. Në disa prej tyre ka marrë pjesë edhe biznesmeni kosovar Bashkim Osmani.

Por ajo që, sipas autorit, fshihet nga SPAK është emri i një zyrtari të lartë të qeverisë Rama, i cili pretendohet se ka qenë i pranishëm në këto takime.

Sipas shkrimit, zyrtari është identifikuar jo vetëm nga përgjimet, por edhe nga procesverbalet e vëzhgimit të këtyre takimeve nga agjentë operacionalë belgë dhe italianë.

Megjithëse në dosjen hetimore të ardhur nga autoritetet e huaja emri i tij rezulton i identifikuar, SPAK nuk ka bërë publik identitetin e këtij personi.

Kur flitet për takimet, prokuroria publikon emrat e personave të pranishëm, emrat e personave të tretë përmes të cilëve dyshohet se është kryer pastrim parash, emrat e noterëve që kanë firmosur kontrata, si dhe emra biznesmenësh e investitorësh. Por sipas autorit, për një emër të vetëm nuk është treguar transparencë dhe ai është ai i zyrtarit të lartë të qeverisë. / Syri.net, Elton Qyno

 

Të fundit