Flash News

Bota

Tërmeti afron Turqinë me Greqinë, kryediplomati grek Dendias vizitë në zonat e goditura

Tërmeti afron Turqinë me Greqinë, kryediplomati grek Dendias

Solidariteti në fatkeqësi sheshon çdo armiqësi e tension edhe të vjetër mes fqinjësh, të paktën për momentin. Ministri i Jashtëm i Greqisë sot vizitoi Turqinë, për t’i ofruar mbështetje ndërsa në shtetin turk vijojnë operacionet e kërkim-shpëtimit, rreth një javë nga tërmeti shkatërrimtar i 6 shkurtit. Deri tani, raportohet për mbi 29 mijë viktima në Turqi e Siri, shumica e tyre në territorin turk.

Shefi i diplomacisë së Athinës, Nikos Dendias, takoi homologun Mevlut Cavugoslu dhe bashkë fluturuan me helikopter për të vizituar zonat e prekura nga tërmeti. Vizita e Dendias shënon të parën e një ministri nga një vend i Bashkimit Europian në Turqi që nga fillimjava. Gjatë konferencës për shtyp në Cavugoslun në Antakia dhe duke iu referuar kryeministrit grek, Kyriakos Mitsotakis, Dendias deklaroi:

"Liderëve e popullit turk dua t’i shpreh ngushëllimet më të sinqerta nga Qeveria Mitostakis dhe nga i gjithë populli grek për humbjet nga tërmeti shkatërrimtar. Kjo tregon solidaritetin e popullit grek me Turqinë dhe me popullsinë turke. Greqia ishte një ndër shtetet e para që telefonoi Turqinë për t’i ofruar ndihmë."

Greqia dhe Turqia kanë rivalitet që vijon prej shekujsh, por është përkeqësuar për shkak të mosmarrëveshjeve territoriale e të energjisë, si dhe nga kërcënimet më të fundit të presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan për pushtim të fqinjit.

Por, të dy vendet fqinje që shtrihen në territore me aktivitet të lartë sizmik e kanë traditë që ta ndihmojnë njëri-tjetrin në raste fatkeqësish natyrore. Cavusoglu kujtoi ndihmën që shtetet iu dhanë në vitin 1999, kur si Turqia, ashtu edhe Greqia u goditën nga tërmetet.

"Shpresoj që do të bëjmë përpjekje për të gjetur zgjidhje për mosmarrëveshjet tona përmes dialogut, që do të zhvillohej në një mënyrë të sinqertë. Ne nuk kemi nevojë të presim që të ndodhin fatkeqësi natyrore për të përmirësuar raportet tona. Ndihma për Turqinë do të vazhdojë."

Të fundit