Flash News

Bota

I morën peng vajzën në Hamas, nëna thirrje dëshpëruese: Ma ktheni në shtëpi

I morën  peng vajzën në Hamas, nëna thirrje

Nëna e një vajze 21-vjeçare e filmuar nga Hamasi në një video ku shfaqen pengjet e kapura në Izrael u ka bërë një thirrje prekëse negociatorëve që të “kthejnë fëmijën e saj në shtëpi”. Keren Shem organizoi një konferencë shtypi në Tel Aviv të martën, ku tregoi një foto të vajzës së saj.

Mia Shem, e cila është një shtetase me nënshtetësi franceze dhe izraelite, po merrte pjesë në festivalin e muzikës elektronike Supernova në Izraelin jugor, kur persona të armatosur të Hamasit mbërritën nga ajri, duke qëlluar me breshëri plumbash mbi turmën, duke vrarë më shumë se 260 njerëz dhe duke marrë peng disa prej tyre. “Po i lutem botës që ta kthejë fëmijën tim në shtëpi.

Ajo shkoi në një festival për t’u argëtuar dhe tani është në Gaza dhe nuk është e vetmja. Kishte shumë fëmijë që shkuan në këtë festë”, tha Keren Shem nga Tel Avivi. Videoja e pengjeve, e para e publikuar nga Hamasi tregonte 21-vjeçaren duke marrë kujdes mjekësor për dorën e plagosur.

E reja shprehej në video se i ishte nënshtruar një operacioni në Gaza. Ajo tregoi se u dërgua në spital për tre orë dhe tha me qetësi “Ata po kujdesen për mua,  gjithçka është në rregull”, por e mbylli videon me një apel për t’u ribashkuar me familjen e saj. “Më largoni nga këtu sa më shpejt. Ju lutem”, tha ajo.

Duke iu përgjigjur videos, Keren Shem tha se vajza e saj dukej “e tmerruar”. “

Ka shumë foshnje, fëmijë dhe pleq të cilët janë edhe të mbijetuar të Holokaustit, të cilët u rrëmbyen, shtëpitë e të cilëve u dogjën. Ky është një krim kundër njerëzimit dhe ne të gjithë duhet të mblidhemi, të ndalojmë këtë terror dhe t’i kthejmë të gjithë në shtëpi”, tha ajo.

Të fundit