Flash News

Bota

Komuniteti shqiptaro-amerikan letër presidentit Biden: Shqetësim veprimet e Serbisë ndaj Kosovës

Komuniteti shqiptaro-amerikan letër presidentit Biden: Shqetësim

Organizata shqiptaro-amerikane i ka dërguar një letër Presidentit Joe Biden ku ka ngritur shqetësimin për veprimet e Serbisë ndaj Kosovës dhe kërkuan që SHBA dhe BE-ja të marrë masa kundër presidentit të saj, Aleksandër Vuçiç.

“Ne jemi thellësisht të shqetësuar nga kërcënimi i vazhdueshëm që paraqet Serbia dhe presidenti i saj Aleksandër Vuçiç ndaj Kosovës dhe popullit të saj”, thuhet në letrën e nënshkruar nga rreth 90 shoqata dhe grupe shqiptaro-amerikane.

Nënshkruesit e letrës i kërkojnë presidentit Biden një takim për të diskutuar për gjendjen e krijuar.

Letra drejtuar presidentit Biden merr shkas kryesisht nga sulmi i 24 shtatorit në Banjskë në pjesën veriore të Kosovës, ku humbi jetën Afrim Bunjaku.

Aktivistët shqiptaro-amerikanë vënë në dukje lidhjen e veçantë mes Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës.

“Si shqiptaro-amerikanë krenarë, ne vlerësojnë thellësisht mbështetjen e palëkundur të Shteteve të Bashkuara për pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës”, thuhet në letër.

Në letër përmendet fakti që nënkryetari i Listës Serbe Milan Radoiçiç, e pranoi publikisht se drejtoi operacionin e 24 shtatorit, së bashku me Bojan Mijailoviçin, një truprojë i ministrit të Brendshëm Aleksander Vulin.

Në letër përmendet gjithashtu deklarata e ambasadorit amerikan Jeffrey M. Hovenier, se sulmi “ishte i koordinuar dhe i sofistikuar” se personat e armatosur duket të kanë pasur stërvitje ushtarake dhe se sasia e armëve lë të kuptohet se kishte një plan “për të destabilizuar sigurinë në rajon.”

“Sulmi terrorist është pjesë e një sërë përpjekjesh për të destabilizuar Kosovën dhe rajonin. Ai paraqet një kthesë kritike dhe vendimtare jo vetëm për rajonin por edhe për gjithë Evropën”, shkruajnë shoqatat.

Të fundit