Flash News

Bota

Tërheqja e 5 mijë trupave amerikanë nga Gjermania, NATO: Po konsultohemi me SHBA-në për vendimin

Tërheqja e 5 mijë trupave amerikanë nga Gjermania, NATO: Po

NATO po punon së bashku me Shtetet e Bashkuara për të kuptuar detajet e vendimit amerikan për të reduktuar trupat ushtarake të SHBA-së në Gjermani, deklaroi sot zëdhënësja e NATO-s, Alison Hart.

“Po punojmë së bashku me SHBA-në për të kuptuar vendimin e tyre lidhur me dislokimin e forcave në Gjermani. Ky rregullim nënvizon nevojën që Evropa të vazhdojë të investojë më shumë në mbrojtje dhe të marrë një pjesë më të madhe të përgjegjësisë për sigurinë tonë të përbashkët, ku tashmë po shohim progres, pasi Aleatët ranë dakord të investojnë 5% të PBB-së në mbrojtje gjatë Samitit të NATO-s vitin e kaluar në Hagë”, u shpreh Hart në një postim në platformën X.

“Ata mbeten të bindur për aftësinë tonë për të garantuar parandalimin dhe mbrojtjen tonë, ndërsa kjo zhvendosje drejt një Evrope më të fortë në një NATO më të fortë vazhdon”, shtoi ajo.

Pentagoni njoftoi dje, të premten, tërheqjen e rreth 5,000 ushtarëve amerikanë nga Gjermania brenda një periudhe njëvjeçare

Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, e cilësoi si të pritshme vendimin e Shteteve të Bashkuara, duke përsëritur se forcat amerikane në Gjermani shërbejnë gjithashtu edhe interesave të vetë SHBA-së në rajon më jerë.

Për misionet e ardhshme, ai theksoi se Gjermania do të koordinohet ngushtë me të ashtuquajturin “Grupi i Pesë” (Britania e Madhe, Franca, Polonia dhe Italia), duke nënvizuar se “duhet të bëhemi më shumë evropianë”.

“Prania e ushtarëve amerikanë në Evropë, dhe veçanërisht në Gjermani, është në interesin tonë dhe në interesin e Shteteve të Bashkuara. Ne bashkëpunojmë ngushtë me amerikanët në Ramstein, Grafenwöhr, Frankfurt dhe vende të tjera, për paqen dhe sigurinë në Evropë, për Ukrainën dhe për parandalimin e përbashkët.

Shtetet e Bashkuara gjithashtu përqendrojnë këtu funksione të tjera ushtarake, për shembull për interesat e tyre në politikën e sigurisë në Afrikë dhe në Lindjen e Mesme”, deklaroi Pistorius, duke komentuar njoftimin e Pentagonit për tërheqjen e 5.000 ushtarëve amerikanë të stacionuar në Gjermani.

“Është e qartë”, theksoi ai, “duhet të bëhemi më evropianë brenda NATO-s, në mënyrë që të mbetemi transatlantikë; me fjalë të tjera, ne evropianët duhet të marrim më shumë përgjegjësi për sigurinë tonë”.

Sipas tij, Gjermania është në rrugën e duhur, duke iu referuar modernizimit të vazhdueshëm të forcave të armatosura: “Po zhvillohemi: forcat tona të armatosura po zgjerohen, po pajisemi më shpejt me më shumë armatim, po fokusohemi te inovacioni dhe po ndërtojmë më shumë infrastrukturë”.

Të fundit