Flash News

Bota

Zelensky dëshiron takimin me Xi Jinping pas planit të Kinës për paqe

Zelensky dëshiron takimin me Xi Jinping pas planit të Kinës

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka thënë se ka në plan të takojë liderin e Kinës Xi Jinping për të diskutuar propozimet e Pekinit për përfundimin e luftës në Ukrainë.

Duke folur në përvjetorin e parë të pushtimit të plotë të Rusisë, ai tha se propozimi sinjalizonte se Kina ishte e përfshirë në kërkimin e paqes, shkruan BBC

"Unë me të vërtetë dua të besoj se Kina nuk do të furnizojë me armë Rusisë," tha ai.

Plani i Kinës kërkon bisedime paqeje dhe respekt për sovranitetin kombëtar.

Megjithatë, dokumenti prej 12 pikash nuk thotë në mënyrë specifike se Rusia duhet të tërheqë trupat e saj nga Ukraina dhe dënon gjithashtu përdorimin e "sanksioneve të njëanshme", në atë që shihet si një kritikë e mbuluar ndaj aleatëve të Ukrainës në Perëndim.

Autoritetet kineze deri më tani nuk i janë përgjigjur publikisht thirrjes së Zelensky për një samit me Xi.

Ndërkohë, Rusia përshëndeti propozimet e paqes kineze. “Ne ndajmë pikëpamjet e Pekinit”, tha në një deklaratë ministria e jashtme në Moskë.

Në fillim të kësaj jave, Sekretari Amerikan i Shtetit Antony Blinken tha se Pekini po shqyrtonte furnizimin me armë dhe municione për Rusinë – një pretendim i mohuar fuqishëm nga Pekini. Të premten, mediat amerikane raportuan përsëri se qeveria kineze po shqyrtonte dërgimin e dronëve dhe predhave artilerie në Moskë.

Propozimet kineze pasojnë një vizitë të kryediplomatit të vendit Wang Yi në Moskë, ku ai u takua me Presidentin Putin dhe Ministrin e Jashtëm Sergei Lavrov të mërkurën.

 

Të fundit