Flash News

Bota

Zelensky: Vendosini sanksione industrisë bërthamore ruse

Zelensky: Vendosini sanksione industrisë bërthamore ruse

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky vazhdon të kërkojë që të rritet presioni mbi agresivitetin rus. Në një postim në Twitter, Zelensky vlerëson paketën e 10-të të sanksioneve që vendet e Bashkimit Europian miratuan kundër Rusisë në 1-vjetorin e luftës Rusi-Ukrainë. Ndërkaq, pret sanksione për t’u zbatuar edhe ndaj industrisë bërthamore të Rusisë.

"Paketa e 10-të e sanksioneve të BE-së vendos në objektiv industrinë ushtarake, propagandën dhe sistemin financiar të Rusisë. Duhet të rritet presioni mbi agresivitetin rus. Presim të ndërmerren hapa të vendosur kundër “Rosatom” e industrisë bërthamore të Federatë Ruse, si dhe të rriten presionet mbi ushtrinë e bankat e Rusisë."

Vendet anëtare të BE-së miratuan sanksionet e reja që pritet të sjellin ndalime të mëtejshme tregtare kundër Rusisë, kontrolle të eksportit për produkte dhe teknologji që mund të përdoren për qëllime civile e ushtarake. Po ashtu, kufizime shtesë ndaj atyre të cilët dërgojnë mjete ajrore pa pilot (dronë).

Ndërsa prej një viti vijon pushtimi rus i Ukrainës, presidenti Putin akuzon NATO-n për pjesëmarrje në konflikt, duke i dhuruar armë Kievit. Sipas shefit të Kremlinit, “nuk ka dyshime se Perëndimi po planifikon të shkatërrojë Rusinë”. Komentet i bëri në një intervistë për kanalin Rossiya-1.

Njohës të ligjit ndërkombëtar po bien dakord për pjesën se dërgimi i armëve në luftë nuk e bën furnizuesin palë në konflikt, pavarësisht se çfarë armësh dërgohen në një shtet të caktuar. Por, Putin e përsërit se sipas tij, “vendet perëndimore kanë si qëllim të vetëm të shkatërrojnë Federatën Ruse”.

Lufta në Ukrainë nisi më 24 shkurt të vitit të kaluar. Presidenti rus e quan “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën. Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra. Si pasojë e luftës kanë humbur jetën mijëra persona dhe miliona të tjerë u zhvendosën nga shtëpitë e tyre.

Të fundit