Debati Braho-Tufa zhvendoset në Kuvend/ Deputeti i PS: Je neofashist dhe hileqar njësoj si ballistët në luftë

Debati midis deputetit të PS, Spartak Braho dhe Agron Tufës, kreu Institutit për Studimin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, është zhvendosur në Kuvendin e Shqipërisë.

Braho akuzoi Tufën se ka shkelur ligjin me veprimtarinë e këtij instituti sepse nuk ka të drejtë të trajtojë çështje që i përkasin periudhës së Luftës Nacional-Çlirimtare. Ai e konsideroi Tufën një neofashist dhe kritikoi sërish veprimtarinë e Ballit Kombëtar gjatë Luftës së Dytë Botërore.

“Unë gjykoj se në veprimtarinë e tij, instituti ka shkelur rëndë ligjin me të cilin organizohet dhe do të perifrazojë edhe kryeministrin që tha “larg duart nga vitet 41-45”. Neofashistët e tipit Tufa e Çela kërkojnë nëpërmjet shtrembërimeve historike të glorifikojnë bashkëpunëtorët e nazizmit dhe fashizmit. Zoti Tufa po ju them që e keni kthyer institutin në celulë të Ballit Kombëtar, po luani me zjarrin duke shkelur ligjin dhe duke shpërdoruar luftën e LANÇ të cilën nuk e bëtë ju dhe soji i juaj, as Popoviçi dhe Mugosha siç shpreheni ju. Luftën e bënë bijtë e këtij vendi dhe partizanët. Zoti Tufa keni shkelur ligjin jo vetëm sepse keni kaluar me tendencë periudhën për të cilën jeni ngarkuar, por ju hileqarë keni qenë që në luftë dhe hileqarë jeni edhe tani në demokraci. Ju pyes përse gërrmoni në arkiva për të kërkuar informacion të padeklasifikuar, kush ua lejon?”,- u shpreh Braho.

Spartak Braho kërkoi që Agron Tufa të largohet nga detyra e drejtorit në këtë institut pasi e konsideroi “të papërshtatshëm”, si dhe i kërkoi Kuvendit të monitorojë veprimtarinë e institutit.

Agron Tufa paraqiti sot në seancën plenare raportin vjetor të Institutit për Studimin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, ndërsa mazhoranca do të miratojë një rezolutë për vlerësimin dhe rekomandimet për ISK-në për vitin 2019-të.