Flash News

KRYESORE

Deklarata me 23 pika/ Jerusalemi lindor njihet si kryeqytet i Palestinës. Shqipëria pjesëmarrëse, por a e nënshkroi vendimin e Konferencës Islamike?

Deklarata me 23 pika/ Jerusalemi lindor njihet si kryeqytet i Palestinës.

Ramallah nuk do të jetë më kryeqytet i palestinezëve pasi Konferenca për Bashkëpunimin Islamik, ku bën pjesë edhe Shqipëria, ka miratuar sot një deklaratë me 23 pika ku Jeruzalemi lindor njihet si kryeqytet i Palestinës. Vendimi vjen si kundërpërgjigje ndaj njohjes së Jeruzalemit kryeqytet i Izraelit nga administrata e presidentit amerikan, Donald Trump.

Në deklaratë dënohet vendimi i Trump për të zhvendosur ambasadën nga Tel Avivi në Jeruzalem, ndërkohë që paralajmërohet se SHBA do të konsiderohet përgjegjëse për trazirat në rajon. Gjithashtu, Uashingtoni ka humbur të drejtën për të qenë ndërmjetësues në procesin e paqes thuhet në deklaratën e nënshkruar nga Mbretërit, Presidentët dhe drejtuesit e Qeverive të vendeve anëtare të Konferencës Islamike.

Në deklaratë u bëhet thirrje shteteve që të njohin shtetin e Palestinës. Që prej vitit 1988, 136 shtete nga 193 anëtarë të OKB-së e kanë njohur pavarësinë e Palestinës, por jo shtetet e Evropës Perëndimore, SHBA, Kanadaja, Meksika, Kolumbia, Australia, Japonia, Koreja e Jugut, etj.

Shqipëria u përfaqësua në samitin e jashtëzakonshëm të Stambollit nga ambasadori në Ankara, Genti Gazheli, dhe aktualisht informacionet për qëndrimin e vendit tonë përballë kësaj deklarate janë zero. Përgjatë gjithë këtyre ditëve, Tirana nuk ka reaguar për pozicionin që do të mbajë për këtë çështje.

Ky është niveli me të cilin Shqipëria u përfaqësua sot në Konferencën Islamike; Erdogani e quan Izraelin “shtet terrorist”

Të fundit