Flash News

OP-ED

Dita 2 e ‘karantinës italiane’: Këmbanat e jetës dhe vdekjes

nga Albignano (provincë e Milanos)

Alfred Lela

Këmbanat e kishave nuk e njohin karantinën. Ato çbien çdo orë me një kumbim që i ka brenda dy të kundërtat: shpresën e shelbimit dhe alarmin. Mbi kokat e njerëzve të paktë që kalojnë rrugëve, nën shenjën e një kujdesi që anon më shumë nga alarmi, këmbanat janë kujtesë e asaj që ka parë Italia dhe Europa e vjetër: murtajën e zezë, Luftën e parë, gripin spanjoll, Luftën e dytë, kërcënimet terroriste etj.

Armiku i ri ka një emër që i ngjan një loje play station: Covid-19. Këmbanat e ‘kultit të së keqes’ kanë rënë tashmë anembanë botës. Ato nuk janë të vendosura në kulla të larta kishash mesjetare, por në makina të autoriteteve të cilat qarkullojnë nëpër qendrat e banuara të Italisë me një shpallje si për ditë lufte: rrini në shtëpi! Mos dilini jashtë, nëse nuk e keni të nevojshme.

Fortafolësit me këtë mesazh kanë zëvendësuar sirenat e alarmit të Luftës së dytë kur pritej bombardimi i aviacionit kundërshtar.

Baret, restorantet dhe bizneset kanë ulur qepenat. Qendrat tregtare, këto kisha të konsumit modern e japin më mirë se çdo gjë tjetër idenë e karantinës. Corte Lombarda, një supermarkatë në Bellinzago, provincë e Milanos, shet vetëm heshtje. Il Gigante, departamenti i ushqimeve dhe produkteve të konsumit të përditshëm, është i vetmi me dyer të hapura.

Një radhë e gjatë blerësish qëndron jashtë dyerve me karroca përpara duke ruajtur një distancë prej 1-2 metrash. Dendësia për metër katror e markatës mbikqyret nëpërmjet kamerave: blerësit i lënë vendin njëri-tjetrit. Kur syri i ‘big brother’ sheh se numri brenda po shtohet një punonjës te hyrja jep urdhër që të pezullohen përkohësisht hyrjet.

I njëjti person kujdeset që blerësit të higjenizojnë duart dhe të vendosin doreza e maska para se të hyjnë brenda. Një tjetër punonjës lajmëron herë pas here që duhet ruajtur distanca prej 1 metri mes njerëzve. Një perimetër shtesë sigurie mbron punonjësit e markatës dhe ushqimet që ata përgatisin për blersëit: një shirit bardhë e kuq i vendosur në dysheme është ‘trau’ i pakalueshëm i sigurisë. Prej aty duhet të lajmërosh llojin e djathit, sallamit, mishit apo produkteve të tjera të cilat vendosen më pas në një anë të banakut për t’u marrë nga porositësit.

Njerëzit lëvizin si zombie. Maska deri te sytë dhe lëvizje të kujdeshme për të ruajtur distancat dhe respketuar rregullat. Shenjat i kanë lënë vendin komunikimeve verbale. Turma që rrëshqet në supermarkatë si reptil i plagosur demonstron geronticid: të moshuarit, një shenjë e përherëshme e qendrave tregtare, mungojnë. Për një arsye të qartë. Italia është një prej vendeve me popullsinë më të moshuar në botë dhe kuroravirusi ka një ‘preferencë’ për të vjetrit. Ky ingranazh misterioz, me 'dhëmbë' në formë kurore, ka bërë gosti mbi trupat e 3405 italianëve deri mbrëmjen e së enjtes, shumica sosh të moshës së tretë.

Trupa të tjera, ato ushtarake, janë në pritje për ta përshkallëzuar edhe më tej gjendjen e jashtëzakonshme. Në Bolonja, mëngjesin e së enjtes herët, rrugëve të qytetit u panë mjete me kamuflazh ushtarak. Hyrja në lojë e ushtrisë është shenjë lufte. ‘Jemi në luftë!’ gjëmojnë papushim personalitetet televizive italiane. Kundër një armiku të padukshëm, shtojnë.

Mjekët, heronjtë e heshtur të këtij konflikti, kanë një alarm tjetër: nëse ju dilni nga shtëpitë, do të shkojmë ne në shtëpi. Mesazhi është i qartë: secili duhet të ruajë pozicionin e vet dhe të bëjë atë që kjo luftë i kërkon.

Si për shembull të dalësh pak ose aspak. Jo më shumë se një njeri në makinë, dhe jo për gjë tjetër përveç plotësimit të nevojave urgjente si barnat, ushqimet e të tjera.

Këmbanat bien sërish. Për ata që kanë veshë. Për njërin prej nesh. Për cilindo prej nesh.

Dita 1 ketu

Të fundit