Flash News

Ditari i Maxhorancës

I ftohti ka 'mbërthyer' vendin prej ditësh, ministrja kujtohet sot për të ftohtin, kërkon sistem ngrohje në shkolla

I ftohti ka 'mbërthyer' vendin prej ditësh, ministrja

Shqipëria vijon prej ditësh të mbetet nën ‘ethet’ e të ftohtit Siberian, ku temperaturat në disa zona të vendit kanë shënuar nën zero gradë ceslsius.

Ministrja e Arsimit Evis Kushi, është kujtuar sot për kushtet klimatike. Përmes një postimi në Facebook ka kërkuar nga institcionet arsimore të marrin masa për t’iu siguruar fëmijëve ngrohje dhe kushte të përshtatshme për mëismin.

Në disa shkolla në Dibër dhe Devoll mësimi është reduktuar me 10 minuta. Kushi ka njoftuar shkollat ku sistemi i ngrohjes ka nevojë për riparim, ndërkohë që duhej të ishin marrë masa paraprakisht.

“Duke konsideruar prioritet absolut shëndetin dhe mirëqenien e nxënësve tanë, gjatë gjithë vitit, e veçanërisht gjatë kësaj periudhe me temperatura tepër të ulëta dhe me ngrica në disa zona malore të vendit, po e ndjekim me shumë kujdes situatën e shkollave në të gjithë territorin e vendit, përmes strukturave tona arsimore.

Në komunikim të vazhdueshëm me çdo bashki dhe njësi administrative në vend, kemi kërkuar marrjen e masave në kohë, sigurimin e ngrohjes dhe garantimin e kushteve për zhvillimin e procesit normal mësimor, si pjesë e përgjegjësisë së tyre.

Përsa i takon situatës në terren dhe raportimeve në mënyrë të vazhdueshme nga zyrat arsimore, kemi kërkuar në mënyrë urgjente pajisjen me sistem ngrohjeje të 28 shkollave nga ana e bashkive respektive.

Ngrohja e institucioneve arsimore bëhet në disa mënyra: ngrohje qendrore me kaldajë, kondicionerë, ngrohës me energji elektrike, si dhe sobë me dru ose pelet. Duke vlerësuar këtë përpjekje të përbashkët me institucionet e pushtetit vendor dhe institucione të tjera, u kemi kërkuar bashkive të marrin masa për 51 shkolla ku ngrohja bëhet përmes sistemit elektrik por ngarkesa në rrjet ka sjellë vështirësi për ngrohjen optimale të tyre. Gjithashtu, i kemi informuar që të ndërhyjnë në 21 shkolla, ku sistemi i kaldajës ka nevojë për riparime apo furnizim me lëndë djegëse.

Në disa shkolla të zyrave arsimore Dibër dhe Devoll, ku temperaturat janë tepër të ulëta, orët e mësimit janë reduktuar me 10 minuta.

Për sa i përket menaxhimit të përbashkët të situatës, vijojmë takimet konstruktive dhe komunikimet e vazhdueshme me kryetarët e bashkive, për t'i falënderuar për bashkëpunimin dhe për t'i kërkuar vëmendje të shtuar në këto ditë të ftohta”, shkruan Kushi në Facebook.

Të fundit