Flash News

Ditari i Maxhorancës

Rama hidhet në sulm kundër Kurtit dhe “kërcënon” Kosovën: Rrezikon të humbasë planin franko-gjerman

Rama hidhet në sulm kundër Kurtit dhe “kërcënon”

Në një intervistë për “Financial Times” pak kohë më parë teksa i referohej situatës së tensionuar në Kosovë, kryeministri Rama e quajti Kosovën “tokë të askujt”. Ky koment ngjalli reagime jo vetëm në Prishtinë, por edhe në Tiranë.

Në përpjekje për të justifikuar deklaratën e tij, Rama tha sot nga Kuvendi se ishte një lapsus nga prestigjiozja “Financial Times” dhe se konotacioni i duhur i fjalës nuk ka qenë ai.

“Nuk kam shpresë se do të ma lehtësojë akuzën për tradhtar përderisa edhe një lapsus Financial Times, e cila në zbardhjen e intervistës time të dhënë në telefon, kishte harruar fjalën ‘veri’ përpara fjalës “Kosovë”, e cila u korrigjua menjëherë bashkë me ndjesën publike të gazetarit britanik, unë e kategorizoj veriun e Kosovës me shprehjen angleze ‘non man’s land’. Pse nuk qenka kur aty lulëzojnë aktivitete kriminale? Kur nuk ka asnjë kontroll dhe asnjë mundësi të parashikosh se çfarë vjen nesër”, deklaroi Rama.

Rama shprehu hapur edhe qëndrimin kundër Albin Kurtit, duke thumbuar kryeministrin e Kosovës me argumentet se sot Shqipëria, sipas Ramës, çmohet nga ndërkombëtarët si vend serioz dhe me dinjitet.

“Puna është se në Tiranë dhe në Prishtinë ka disa që nuk duan ta kuptojnë që Shqipëria nuk është më ajo e djeshmja në arenën ndërkombëtare. Nëse sot ne respektohemi si absolutisht të barabartë në çdo instancë dhe rrethanë. Vlerësohemi për dinjitetin dhe qartësinë që tregojmë me fjalë e me vepra. Pyetemi nga të gjithë aktorët kryesorë të komunitetit Euroatlantik që na konsultojnë rregullisht për problematikat rajonale.

Çmohemi si vend serioz që i besohet rol me rëndësi në tryezat ndërkombëtare, më e fundit zgjedhja e Shqipërisë në këshillin e të drejtave të njeriut të OKB-së, apo na kërkohen mikpritje samitesh të rëndësishme të këtij komuniteti këtu në Shqipëri.

Gjëra të paimagjinueshme deri disa vite më parë. Kjo nuk ndodh se unë vesh atlete nëpër samite dhe as se ata që na besojnë nuk dinë çfarë bëjnë apo nuk kanë se ku të mblidhen. Kjo ndodh vetëm se ne e kemi ngritur Shqipërinë në një nivel të ri dhe politikën tonë të jashtme në një stad të ri dhe pozicionin e shtetit tonë në rajon në një majë të re. Shembullit të kahershëm si faktor paqeje e stabilitetit rajonal I kemi thënë një rrezatim të ri prej një anëtari të denjë e të përgjegjshëm të komunitetit euroatlantik aktiv në mbrojtjen e interesit strategjik të paqes stabilitetit dhe progresit në rajon”, tha Rama.

Në fjalën e tij, Rama “kërcënoi” haptazi Kosovën kur tha se me qëndrimet e fundit ka rrezik të humbë shansin e planit franko-gjerman. Rama këmbënguli në idenë e tij që është kundërshtuar gjerësisht, se KFOR duhet të marrë kontrollin e veriut.

“E kam thënë së samitin e NATO, mbi domosdoshmërinë marrjes së kontrollit të veriut të Kosovës nga KFOR. Fokusimi tek suksesi dhe jo dështimi i plantit franko gjerman dhe dhënies drejtim të asociacionit të komunave me shumicë serbe. Nuk duhet mbajtur një litar në këmbë që veç e pengon Kosovën në rrugën e saj dhe veç e largon objektin për tu bërë pjesë e OKB, NATO, BE. Ai litar duhet këputur një orë e më parë. Nuk duhet shkencë, duhet logjikë të ftohtë, për të kuptuar se ai as duke mos u bërë është kthyer në një litar. Do vazhdojë të shtrëngojë këmbët e Republikës së Kosovës. Të mos e shohësh këtë do të thuash që mos të duash t’ia dish fare se si duhet hedhur hapi tjetër. Kosova po rrezikon të humbasë shansin historik, të planit franko-gjerman për të bërë një progres në dialogun me Serbinë. Nëse bëhet si duhet në bashkëpunim me aleatët, Serbia s’do lëvizë dot aq lirshëm sa ka lëvizur tërë këtë kohë mes Brukselit dhe Uashingtonit duke shfrytëzuar qasjen e gabuar të Prishtinës në dialog”, shtoi Rama.

Të fundit