Flash News

Ditari i Maxhorancës

SHBA e alarmuar, Balla e mohon: Nuk ka patur rrjedhje të dhënash në sistemin TIMS të Policisë së Shtetit

SHBA e alarmuar, Balla e mohon: Nuk ka patur rrjedhje të dhënash

Ndonëse dyshimet e artikuluara në publik për ndërhyrje të paligjshme dhe rrjedhje të dhënash nga sistemi TIMS, janë adresuar në Prokurorinë e Tiranës, ministri i Brendshëm, Taulant Balla është shprehur i sigurt se nuk ka patur asnjë rrjedhje të dhënash në sistemin TIMS të Policisë së Shtetit.

Gjatë raportimit ditën e sotme në Komisionin për Çështjet Europiane, Balla u shpreh se çdo e dhënë në sistemin TIMS është 100% e mbrojtur. Ai shtoi më tej se Prokuroria e Tiranës ka nisur një hetim dhe i bëri thirrje që të jetë i plotë.

“Një çështje që më shumë është abuzuar në publik se ka të vërteta shqetësuese lidhur me pretendime për rrjedhje të informacionit të sistemit TIMS. Garantoj çdo qytetar se të dhënat në sistemin TIMS janë 100% të mbrojtura, nuk ka asnjë të dhënë që të ketë rrjedhur nga ky sistem i fortifikuar falë edhe mbështetjes së partnerëve, SHBA.

Sistemi ynë është sulmuar si pjesë e një sulmi total gjatë verës së vitit të kaluar gjatë sulmit kibernetik verën e kaluar. Sistemi është 100% funksional. Ministri është informuar në kohë reale nga vetë personat që pretendonin për këtë problematikë dhe që nga ai moment i kam kërkuar drejtorëve të AMP dhe Policisë së Shtetit, të dy kanë inicuar hetimet e tyre qoftë Rrumbullaku qoftë drejtori i AMP dhe u kam kërkuar përfshirjen e menjëhershme të SPAK, por ka qenë rekomandim nga ana e tyre që kjo çështje të ndiqet nga Prokuroria e Tiranës. Kjo e fundit ka regjistruar një procedim që unë e mbështes”, tha Balla.

Kujtojmë se SHBA është shprehur e shqetësuar për ndërhyrjen në sistemin TIMS, ndërsa Partia Demokratike bëri kërkesë për ngritjen e një komisioni parlamentar për këtë çështje.

 

 

Të fundit