Flash News

Ditari i Opozitës

A po e çon PD-në drejt gjykatave mungesa e garës brenda partisë? Berisha kthen përgjigje për Politiko

A po e çon PD-në drejt gjykatave mungesa e garës brenda

Gjatë një takimi online me qytetarët, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, iu përgjigj një pyetjeje të drejtuar nga Politiko.al lidhur me garën për drejtimin e PD-së dhe pretendimet për mungesë konkurrence të brendshme në parti.

"A po e çon PD-në drejt gjykatave mungesa e garës brenda partisë duke u nisur nga fakti se kandidatë si Evi Kokalari kanë paralajmëruar padi, ndërsa Ervin Salianji dhe Mereme Sela kanë kundërshtuar publikisht skualifikimin e tyre dhe a rrezikon kjo të minojë besimin tek procesi për kreun e partisë?", ishte pyetja qe Politiko i drejtoi Berishes.

Berisha u përgjigj duke theksuar se PD, sipas tij, është një parti e hapur dhe nuk mund të “merret nga askush”.

Ai akuzoi kundërshtarët politikë për përpjekje për të ndikuar në proceset e brendshme të partisë dhe u shpreh se individë që, sipas tij, kanë qenë të lidhur me pushtetin ose kundër PD-së në zgjedhje, nuk mund të kenë vend në strukturat e saj drejtuese.

Në deklaratën e tij, Berisha iu referua edhe ish-deputetit Ervin Salianji, duke bërë akuza të forta për lidhje dhe qëndrime politike të tij, si dhe duke komentuar zhvillimet e fundit politike dhe hetimet që kanë përfshirë figura të ndryshme publike.

Ai shtoi se gara për kryetar partie, sipas tij, ka kritere të qarta “si në çdo vend tjetër”.

Sa i përket kandidates Mereme Sela, Berisha tha se nuk e njihte dhe se ishte hera e parë që dëgjonte për të, duke nënvizuar se procesi i garës në PD bazohet në rregulla dhe kritere të përcaktuara.

"PD është parti e hapur, nuk mund ta marrë kush. U përpoqën për ta marrë.
Unë i them portalit se këtë parti, Edi Rama nuk mund ta marrë kush me kandidatura të shtira.

Se Ervin Salianji, e kam shpjeguar dhe e shpjegoj përsëri, u shpall i burgosur politik sepse ishte për kohën që qëndroi në burg, por në burg e shiti veten.
Tani nuk do përsëris problemet e tij se i kam thënë.

Në burg, ai u birësua nga Pëllumb Gjoka dhe Oltion Bistri. Sapo doli, ai ishte në shoqërinë e vazhdueshme të Ergys Agasit.

Dhe, për portalin që pyet, i them, pikërisht momentin kur plasi skandali Balluku, ky filloi xhiron për të sfumuar zhurmën, për të krijuar një vatër tjetër debati.

Dhe njëherë, ata që kanë mbajtur qëndrim, ata që përfaqësojnë pushtetin, lidhjet me pushtetin, ata të cilët kanë qenë kundër PD në fushatë elektorale, ata nuk kanë dhe nuk do kenë vend ndonjëherë në PD.

Nuk e kam këtu për zonjën Sela, nuk e di se nuk e njoh, është hera e parë që ia kisha dëgjuar emrin, dhe natyrisht gara ka disa kritere. Gara për kryetar të PD, kudo në botë, ka kritere dhe në Shqipëri ka kritere"


Kokalari sfidon vendimin: paralajmëron padi në gjykatë

Ndërkohë, aktivistja shqiptaro-amerikane Evi Kokalari ka reaguar ashpër pas skualifikimit të saj nga gara për kreun e PD-së më 23 maj, duke paralajmëruar ndjekje ligjore ndaj vendimit.

Në një postim në Facebook, Kokalari publikoi një dokument ku pretendon se rezulton si anëtare e Partisë Demokratike, duke u shfaqur së bashku me emra të njohur të strukturave të partisë dhe pjesëmarrës në Kuvendin e PD-së të dhjetorit 2021.

Ajo thekson se pavarësisht dorëzimit të dokumentacionit për kandidim, i cili fillimisht u dorëzua fizikisht dhe më pas elektronikisht, kandidatura e saj u refuzua me argumentin se nuk është anëtare e partisë.

“Shihemi në gjyq, Sali Berisha!!”, ka shkruar Kokalari, duke bërë të ditur se do t’i drejtohet gjykatës për të kërkuar të drejtën e saj.

Edhe kandidatja tjetër e skualifikuar, Mereme Sela, ka paralajmëruar gjithashtu ndjekje ligjore, ndërsa Ervin Salianji ka deklaruar se do ta çojë çështjen në instanca ndërkombëtare dhe në Partinë Popullore Europiane (PPE)./Politiko.al

 

Të fundit