Flash News

Ditari i Opozitës

Bardhi: Basha hesht i detyruar për aktakuzën ndaj Berishës

Bardhi: Basha hesht i detyruar për aktakuzën ndaj Berishës

Kreu i grupit parlamentar Gazment Bardhi ka komentuar heshtjen e Lulzim Bashës për aktakuzën ndaj kreut të PD, Sali Berisha.

Në një intervistë për emisionin “Pa Censurë”, Bardhi tha se Basha hesht i detyruar dhe se institucionet e drejtësisë do të duhet te zbardhin arsyet e kësaj heshtje.

Pjesë nga intervista:

Elona Meço: Jua ka vrarë veshin heshtja në dy kampet politike, njëri është kampi i  kryeministrit, që kërkonte me insistim nga SPAK një vit e gjysmë më parë të çonte para drejtësisë Berishën dhe Metën.  Tjetri është kampi i zotit Basha, i cili i kërkonte SPAK-ut të ndëshkonte politikanët e korruptuar, por për këtë çështje nuk ka mbajtur asnjë qëndrim. Pse mendoni që po veprojnë kështu?

Gazment Bardhi: Mendoj se, për sa kohë zoti Berisha është një nga faktorët më të rëndësishëm në opozitë, çdo veprim i drejtësisë ndaj tij, do të duhet të marrë vëmendjen e faktorëve të tjerë politikë, përfshirë këtu kryeministrin. Pra do të duhet të ketë një qëndrim të tij dhe të zotit Basha, pasi zoti Basha ka qenë bashkëpunëtori më i afërt i zotit Berisha prej vitit 2005. E kam një shpjegim pse heshtin, por besoj që për opinionin publik shpjegimi do të zbulohet në vijimësi.

Elona Meço: Pse ky mister kaq i madh?

Gazment Bardhi: Sepse nuk është çështje e imja. Ju do të shikoni që keni për të zbuluar arsyen përse disa janë te detyruar të heshtin për çështje të caktuara.

Elona Meço: Janë të detyruar? S’po e bëjnë për strategji komunikimi?

Gazment Bardhi: Po, janë të detyruar. Janë të detyruar të heshtin për çështje të caktuara

Elona Meço: Këta “disa” janë edhe Rama, edhe Basha apo vetëm njëri nga këta të dy?

Gazment Bardhi: Zoti Rama ka një mal me çështje që do të duhet të hetohen në SPAK, por për çështjen konkrete, zoti Basha është i detyruar të heshtë.

Elona Meço: Sa do të duhet të presim për këtë, pasi qenka shumë interesante.

Gazment Bardhi: Do të duhet të presim që institucionet të bëjnë punën e tyre.

Elona Meço: Institucionet e drejtësisë?

Gazment Bardhi: Patjetër që institucionet e drejtësisë.

 

Të fundit