Flash News

Ditari i Opozitës

Berisha: Dorëzoni Lubinë në Prokurori, sepse ky raport është absolutisht damkosës për lidhjet e fuqishme me krimin

Berisha: Dorëzoni Lubinë në Prokurori, sepse ky raport

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka lëshuar akuza të forta nga foltorja e Kuvendit, duke e cilësuar raportin e fundit ndërkombëtar si “damkosës” për qeverinë dhe kryeministrin Edi Rama.

Berisha deklaroi se raporti evidenton farsën elektorale, lidhjet me krimin, mbrojtjen e korrupsionit dhe moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Ai i bëri thirrje institucioneve që, sipas tij, “ta dorëzojnë Lubinë në Prokurori dhe gjykatë”.

“Ky raport është absolutisht fund e krye damkosës për farsën elektorale, damkosës për mbrojtjen e korrupsionit, damkosës për moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Ky moszbatim është shkelmim i Kushtetutës, flagrant, del jashtë imagjinatës”, u shpreh Berisha nga foltorja e Kuvendit.

Sipas tij, raporti ngre shqetësime serioze edhe për lidhjet me krimin dhe dobësimin e rolit të Parlamentit.

“Është damkosës për lidhjet e fuqishme me krimin. Damkosës për humbjen e rolit të parlamentit. Damkosës për investime strategjike. Kërkohet të anulohet amendamenti dhe ligji që keni bërë në 2024”, deklaroi kreu demokrat.

Berisha ndaloi edhe tek çështja e konflikteve të interesit, duke akuzuar kryeministrin Rama për favorizime familjare dhe kontroll mbi institucionet shtetërore.

“Është marrë vesh botërisht se Edi Rama i ka falur vëllait të vet 38 mijë metra katrorë tokë private. Se Edi Rama, në konflikt flagrant të interesit, ka shndërruar AKSHI-n në kopshtin e tij”, tha ai.

Në fund të fjalës së tij, Berisha përmendi edhe “Abi Bank” dhe lidhjet familjare të kryeministrit, duke theksuar se çështjet që ai kishte ngritur më herët tashmë, sipas tij, janë bërë publike edhe ndërkombëtarisht.

Të fundit