Flash News

Ditari i Opozitës

Berisha: Rama është “gangrenë” për vendin dhe pengon integrimin në BE

Berisha: Rama është “gangrenë” për vendin dhe

Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha ka dalë me një deklaratë të fortë ndaj kryeministrit Edi Rama, duke e cilësuar atë si “gangrenë” për vendin dhe duke pretenduar se procesi i integrimit europian të Shqipërisë po pengohet nga qeveria aktuale.

Nga mbledhja e grupit parlamentar te PD,  Berisha iu referua edhe një publikimi të publicistit amerikan Michael Rubin, të cilin e përdori si argument për kritikat e tij ndaj kryeministrit Edi Rama.

Sipas Berishës, Shqipëria ndodhet në një moment të rëndësishëm për rrugëtimin drejt Bashkimit Europian, por ky proces, sipas tij, po dëmtohet nga mënyra se si qeveriset vendi.

Ai deklaroi se opozita po vijon të qëndrojë, siç u shpreh, “zëri i qytetarëve që besojnë te liria dhe integrimi europian”, duke theksuar se Shqipëria duhet të bëhet pjesë e Bashkimit Europian si një projekt kombëtar.

Berisha akuzoi gjithashtu qeverinë se nuk ka interes real për integrimin, por vetëm për interesat e saj politike dhe ekonomike, duke shtuar se procesi europian kërkon standarde dhe rregulla që, sipas tij, nuk po zbatohen.

PJESE NGA DEKLARATA

Çdo ditë e më shumë bëhet botërisht e qartë se Edi Rama është një gangrenë siç shprehet sot një publicist i mirënjohur për të, Michael Rubin, një gangrenë që duhet hequr sa më parë.
Në këtë kuadër, mendoj se opozita në kushte të një narkodiktature, po qëndron fuqishëm si zëri i vërtetë i shqiptarëve që besojnë tek vlerat e lirisë, që shpresojnë të kenë një të ardhme që meritojnë dhe këtë të ardhme më të mirë është e ardhmja në BE.
Nuk ka projekt më të shkëlqyer për Shqipërinë dhe kombin se sa vendosja e Shqipërisë në këtë komunitet ashtu siç e projektonin rilindësit tanë, zonjë midis vendeve të tjera të Evropës.
Por ky proces, siç faktohet çdo ditë e më shumë, është marrë peng nga një organizatë kriminale që drejton Shqipërinë, me kreun e saj të Meduzës, Edi Ramën.
Shqiptarët duhet ta dinë se këta nuk kanë absolutisht asnjë interes për të ardhmen e tyre, përveçse për të ardhmen e vet dhe parajsën e tyre dhe të fëmijëve të tyre me paratë e qytetarëve shqiptarë.
Për ta, integrimi evropian është një proces krejtësisht i padëshirueshëm sepse ky proces ka disa rregulla, ligje, standarde që përparësojnë interesat e qytetarëve shqiptarë dhe nuk pranon qeveritarët hajdutë, nuk pranon lidhjet me krimin të qeveritarëve.
Ky proces kërkon respektimin e lirive dhe të drejtave themelore, të votës së lirë të shqiptarëve, por edhe funksionimin e ekonomisë së tregut dhe rregullave të tregut.
Opozita ka zgjedhur në këto kushte të qëndrojë e pamposhtur si zëri i ndërgjegjes së këtij kombi, që kërkojnë me çdo kusht ta izolojnë, ta poshtërojnë dhe ta largojnë nga rruga e integrimit.

ZYRA E MEDIAS DHE KOMUNIKIMIT, PARTIA DEMOKRATIKE

Të fundit