Ditari i Opozitës

Berisha: Rama nën hetim për çështjen “McGonigal”

Berisha: Rama nën hetim për çështjen

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, shprehet i sigurt se kryeministri Edi Rama është nën hetim nga autoritetet amerikane si i përfshirë në çështjen ndaj ish-shefit të kundërzbulimit të FBI-së, Charles McGonigal.

“Po e heton 100%. Jo vetëm Edi Ramën, por edhe ministrat e Edi Ramës”, tha ai në një intervistë dhënë për emisionin “Opinion”.

Berisha tha se edhe ai vetë mund ta kishte pritur McGonigal nëse do ia kërkonte, por nuk do bënte atë që sipas tij bëri Rama.

“Do ta ftoja me kënaqësi të pinim kafe, por kurrë nuk mund ta imagjinoja t’i thoja heto pak Edi Ramën”, u shpreh kryedemokrati.

Berisha tha se ishte e papranueshme që Rama nuk pranoi të bënte transparencë në Parlament madje e sfidoi publikisht.

“Bëhu burrë dhe hajde vetëm 5 minuta këtu. Bëhu burrë thuaji dhe hajde vetëm 5 minuta të tregoj sa të vlen lëkura”, u shpreh Berisha.

I pyetur për çështjen e regjistrimit të PD-së në zgjedhjet lokale të 14 Majit, Berisha i dha një përgjigje edhe kryekomisionerit Ilirian Celibashi.

“Edi Rama mendon se mund të përjashtojë PD nga zgjedhjet. Alibeaj me Bashën janë siç e dini ju skllevër, pengje të Edi Ramës”, u shpreh Berisha.

Nëse PD nuk regjistrohet në zgjedhje, Berisha tha se do të ketë një reagim të fortë të opozitës.

“Revolucion. Protesta, revolta, mosbindje civile. Çdo gjë demokratike dhe mosbindje civile për të drejtën tonë”, tha Berisha.

 

Të fundit