Flash News

Ditari i Opozitës

Berisha: Rama paradite dekoronte të atin e mafiozit të rrezikshëm, pasdite shfaqet në Bruksel si fanatik i integrimit

Berisha: Rama paradite dekoronte të atin e mafiozit të

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka sulmuar kryeministrin Edi Rama gjatë mbledhjes së Kryesisë së PD-së, duke e akuzuar për lidhje dhe promovim të figurave të lidhura me botën e krimit, ndërsa në arenën ndërkombëtare, sipas tij, paraqitet si mbështetës fanatik i integrimit europian.

Berisha deklaroi se Shqipëria ndodhet në kushte të farsës elektorale dhe akuzoi mazhorancën se ka zëvendësuar shtetin ligjor me aleancën me krimin.

Ai iu referua dekorimeve të bëra në Durrës për persona që lidhen me emra të përfolur në dosjet e SPAK, duke pretenduar se ato përbëjnë mesazh politik në mbështetje të krimit, ndërsa paralelisht Rama mbante fjalime pro-BE në Bruksel.

Berisha: Ne ndodhemi në kushte të vështira dhe shumë të vështira.
Ndodhemi në kushte kur zgjedhjet janë zëvendësuar me farsë elektorale dhe kjo përbën fatkeqësinë më të madhe politike kombëtare.
Kjo përbën mekanizmin e diktaturës autoritare.
Ndodhemi në kushte kur partia në pushtet haptas ka hequr çdo maskë, rroftë krimi dhe poshtë ligji është motoja e saj.
Imagjinoni pak, tejkalon çdo novelë, çdo roman të realizimit fantastik fakti kur Ramaduro paradite dekoron të atin e njërit prej mafiozëve më të rrezikshëm të kohërave, ka pasur Italia Toto Rinën, por Toto Rina nuk ka kontrolluar kurrë qeverinë dhe të dhënat dixhitale të Italisë.
Kurse Toto Rina shqiptar është i vetmi mafioz në Evropë që kishte në dorë çdo gjë në këtë vend, përfshi edhe kryeministrin.
Jeton i lirë në Shkozet, në Surrel, në Manzë dhe kudo.
Dhe Edi Rama, para se të niset në Bruksel në konferencën ndërqeveritare të tetë për raportin IBAR, ndan kohën, dekoron të atin e Ergys Agasit për t’i dhënë një mesazh të prerë qytetarëve të Durrësit se Agasët janë fisnikëria e partisë së krimit.
Për t’i dhënë mesazh të prerë SPAK-ut të partisë se Agasët janë shtylla e partisë.
Në momentin kur ai dje fliste në Bruksel, kur deklaronte se ne jemi fanatikë të BE, sekretari i tij i përgjithshëm me porosi të tij i dërgonte dekoratën e partisë Jyrgis Çyrbes, informatorit të një vrasësi serial, të faktuar dhe të dokumentuar.
Pra, atje shprehej për fanatizëm ndaj integrimit, në Durrës ngrinte në piedestal krimin, bashkëpunimin me krimin.

Të fundit