Flash News

Ditari i Opozitës

Berisha: Raporti i IBAR pasqyron problematikat e regjimit të Ramës, mediat manipuluan qytetarët

Berisha: Raporti i IBAR pasqyron problematikat e regjimit të Ramës,

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar qeverinë dhe mediat pranë saj për censurim dhe manipulim të raportit të IBAR të publikuar më 21 maj, duke e cilësuar atë si një nga raportet më të rëndësishme të Bashkimit Europian për Shqipërinë.

Në një deklaratë për mediat, Berisha u shpreh se “mafia e fjalës së lirë”, sipas tij e kontrolluar nga qeveria e Edi Rama, ka manipuluar përmbajtjen e raportit dhe ka fshehur problematikat reale të evidentuara nga institucionet europiane.

Sipas tij, mediat kanë konsumuar “orë të tëra mashtrimi” për të paraqitur një realitet të deformuar për raportin IBAR, ndërsa kanë censuruar plotësisht raportin e Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian.

Berisha deklaroi se raporti i rishikuar më 21 maj pasqyron “me vërtetësi problematikat madhore të regjimit të Edi Ramës” dhe se Shqipëria, në raport me standardet e integrimit europian, paraqitet si “një vend krejtësisht tjetër” nga ai që promovon qeveria.

Ai falënderoi gjithashtu raportuesit dhe strukturat europiane për amendamentet e bëra në dokument, duke përmendur veçanërisht COELA-n për, sipas tij, pasqyrimin realist të situatës në Shqipëri dhe jo të “realitetit të sheqerosur me lobime korruptive”.

PJESE NGA FJALA

Mirëdita.
Së pari dua të denoncoj me forcën më të madhe mashtrimin, censurën dhe manipulimin që mafia e fjalës së lirë, e kontrolluar nga qeveria totalisht, i bëri raportit më të rëndësishëm të BE për Shqipërinë.
Mafia e fjalës së lirë, në përputhje me direktivat që mori nga zyra e kryeministrit, nxiu me dhjetëra e dhjetëra faqe në portale, në gazeta, konsumoi orë të tëra në studio për të mashtruar qytetarët për raportin IBAR.
Ajo kreu këtë akt të shëmtuar pasi censuroi totalisht raportin e Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Evropian.
Është pikërisht ky qëndrim që tejkalon çdo lloj kufiri, ai që më detyron sot në emër të transparencës t’u paraqes shqiptarëve të vërtetat e raportit IBAR 21 maj.
Ashtu siç janë miratuar.
Dhe të shpreh falënderim për të gjithë ata të cilët, siç do ta shihni, e amenduan me 32 amendamente më kryesore për të mos llogaritur dhjetëra e dhjetëra të tjerë.
Të falënderoj COELA-n për punën e madhe serioze për të pasqyruar në raportin e tyre realitetin shqiptar ashtu siç është dhe jo realitetin e sheqerosur me lobime korruptive.
Unë mund të them se raporti i parë, i paraqitur me 2 shkurt dhe i rishqyrtuar shumë e shumë herë, i karakterizuar gjithashtu nga anulimi i konferencës ndërqeveritare, në pozicionet e përbashkëta që paraqet me 21 maj, ka pasqyruar me vërtetësi problematikat madhore të regjimit të Edi Ramës.
Dhe se pas këtij raporti, Shqipëria në raport me kriteret, standardet e integrimit në BE, është një vend krejtësisht tjetër.
Është fatkeqësi e madhe kur mediat, në vend që të mbajnë anën e qytetarëve, anën e vendit të tyre dhe interesave jetike të vendit të tyre, të qytetarëve të tyre, mbajnë anën e kreut të Meduzës, organizatës së tij kriminale, duke mashtruar qytetarët për këtë raport.

ZYRA E MEDIAS DHE KOMUNIKIMIT, PARTIA DEMOKRATIKE

Të fundit