Flash News

Ditari i Opozitës

Kryebashkiaku i Kuçovës i dënuar? PL: Disponojmë letër-porosinë nga Greqia, ka fshehur dënimin

Kryebashkiaku i Kuçovës i dënuar? PL: Disponojmë

Nënkryetari i PL-së, Endrit Braimllari ka deklaruar se prej 6 muajsh kjo forcë politike ka kërkuar verifikim për kryebashkiakun e Kuçovës, Kreshnik Hajdari, i cili sipas Partisë së Lirisë është i dënuar nga autoritetet greke.

Nga selia e PL, Braimllari tha se Kreshnik Hajdari ka fshehur dënimin e tij në Greqi në formularin e dekriminalizimit, ndërkohë që “Letër porosia e ministrisë së Drejtësisë Greke duhet të kishte ardhur me kohë, ndërkohë që ne e disponojmë një kopje të vendimit dhe ja kemi vënë në dispozicion institucioneve të sipërpërmendura”.

Sipas PL “Kreshnik Hajdari nuk mundet të drejtojë në kundërshtim me ligjin Bashkinë e Kuçovës e cila vuan çdo ditë, mungesën e shërbimit ndaj qytetarëve, shpopullimin masiv të të rinjve, abuzimin e përditshëm të administratës së bashkisë e cila drejtohet nga një individ i dënuar me vendim gjykate dhe shkelës i hapur i ligjit të dekriminalizimit’.

Deklarata e plote e nënkryetarit të PL

U bënë më shumë se 6 muaj që në emër të koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’ dhe në emër të kandidatit për Bashkinë e Kuçovës, Lefter Maliqi kemi depozituar një kallëzim për kryetarin në detyrë të Bashkisë së Kuçovës, Kreshnik Hajdari.

Me anë të këtij kallëzimi i është kërkuar SPAK, Prokurorisë së Përgjithshme, KQZ ndjekje penalen të Kreshnik Hajdarit për veprën penale të ‘Falsifikimit të Formularit të Vetëdeklarimit’ në kuadër të ligjit për dekriminalizimin.

Kryetari i Bashkisë së Kuçovës, Kreshnik Hajdari rezulton i dënuar nga drejtësia greke për akuzën e kalimit të paligjshëm të kufirit, fakt ky i pa deklaruar në formularin e dekriminalizimit.

Për më shumë se 6 muaj, institucionet e drejtësisë nuk kanë vepruar duke lejuar kandidadimin kundër ligjit të dekriminalizimit të Kreshnik Hajdarit.

Kërkojmë nga institucionet e drejtësisë të na informojnë, se nëse ndaj kryetarit të Bashkisë Kuçovë, Kreshnik Hajdari është regjistruar procedim penal dhe nëse po në çfarë faze ndodhet.

Letër porosia e ministrisë së Drejtësisë Greke duhet të kishte ardhur me kohë, ndërkohë që ne e disponojmë një kopje të vendimit dhe ja kemi vënë në dispozicion institucioneve të sipërpërmendura.

Kërkojmë nga SPAK, Prokuroria e Përgjithshme dhe KQZ,  informacion të detajuar për ecurinë e kësaj çështjeje.

Kreshnik Hajdari nuk mundet të drejtojë në kundërshtim me ligjin Bashkinë e Kuçovës e cila vuan çdo ditë, mungesën e shërbimit ndaj qytetarëve, shpopullimin masiv të të rinjve, abuzimin e përditshëm të administratës së bashkisë e cila drejtohet nga një individ i dënuar me vendim gjykate dhe shkelës i hapur i ligjit të dekriminalizimit.

 

 

 

Të fundit