Flash News

Ditari i Opozitës

Meta: Niveli i papunësisë mbetet i lartë, qeveria nuk tregon vëmendje për dramën sociale

Meta: Niveli i papunësisë mbetet i lartë, qeveria nuk tregon

Kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta deklaroi sot se zhvillimi ekonomik e social në muajt e fundit, tregon se ka një përkeqësim të ndjeshëm dhe të vazhdueshëm të modelit ekonomik.

Meta tha nga një deklaratë për mediat se është alarmante për ekonominë, rënia e theksuar e importeve dhe eksporteve.

“Prodhimi i Brendshëm Bruto shënoi një rritje prej vetëm 3.23 % në tremujorin e dytë të vitit 2023.
Sektori i ndërtimit dhe pasurive të paluajtshme mbeten kontribuuesit më të mëdhenj të rritjes ekonomike, në rreth 67% te rritjes ekonomike.

Ky është një tregues në vazhdimësi i modelit ekonomik aktual jo të qëndrueshëm i cili nuk mbështetet në sektorët e rëndësishëm dhe afatgjatë të ekonomisë si bujqësia, industria, manifaktura, energjia, uji, etj. Ajo që duhet theksuar si alarmante për ekonominë, është kontributi negativ i eksporteve dhe importeve te mallrave, të cilat kane rënie të theksuar”, deklaroi Meta.

Meta ngriti si shqetësim nivelin e lartë të papunësisë tek moshat e reja, teksa tha se qeveria nuk tregon asnjë vëmendje në këtë dramë sociale.

“Një shqetësim madhor vazhdon të mbetet niveli i lartë i papunësisë për moshat e reja deri në 29 vjeç.
Papunësia e të rinjve edhe në tremujorin e dytë të vitit 2023 ne nivelin 22.3%, mbetet e lartë, që duke marrë parasysh edhe nivelin e lartë të emigracionit të kësaj grupmoshe, tregon për një krizë sociale për të gjithë të rinjtë që jetojnë në Shqipëri. Dhe qeveria nuk tregon asnjë vëmendje për këtë dramë sociale.
Rritja vjetore e çmimeve në muajin Gusht është ndikuar kryesisht nga rritja e çmimeve të artikujve ushqimorë. Çmimet e ushqimeve vazhdojnë rritjen galopante, duke shënuar në nivel vjetor një rritje prej gati 8%”, tha Meta.

Të fundit