Flash News

Ditari i Opozitës

PD denoncon: Policia ndalon dhe kërcënon qytetarin në Kombinat për ta penguar të dalë në protestë

PD denoncon: Policia ndalon dhe kërcënon qytetarin në Kombinat

Partia Demokratike ka denoncuar ndalimin e një qytetari në zonën e Kombinatit në Tiranë, duke e cilësuar ngjarjen si të paligjshme dhe si formë presioni ndaj qytetarëve.

Në një deklaratë për media, kryetarja e degës 6 të PD në Tiranë, Onelda Zefi, ka deklaruar se Ernest Kapo është ndaluar nga një patrullë policie pa shpjegime dhe pa arsye të qartë, ndërsa më herët gjatë ditës, efektivë të Komisariatit Nr. 6 i kanë kërkuar të mos marrë pjesë në protestën e opozitës.

Sipas PD, disa orë më vonë ai është ndaluar në Kombinat pasi kishte dalë nga banesa.

Partia Demokratike e ka dënuar ashpër këtë rast, duke kërkuar lirimin e menjëhershëm të Ernest Kapos dhe duke e konsideruar ndalimin si presion ndaj opozitës dhe qytetarëve.

DEKLARATA:

Një akt i hapur terrori policor dhe veprim mafioz ka ndodhur sot në Kombinat. Një patrullë policie ka ndaluar në mesditë Ernest Kapon, pa shpjegime, pa arsye dhe në mënyrë të paligjshme.

Ndalimi i tij nuk ka qenë i rastësishëm. Sot në mëngjes një patrullë e Komisariatit 6 është shfaqur në banesën e z. Kapo, duke i kërkuar që të mos dalë në protestën e sotme të opozitës në orën 19.00.

Disa orë më vonë policë të të njëjtit Komisariat e kanë ndaluar në Kombinat, kur ka dalë nga shtëpia për punët e veta si çdo qytetar.

Ndalimi i z. Kapo është alarmant dhe i papranueshëm, jo vetëm si cënim i të drejtave dhe lirive të qytetarëve, por edhe për faktin se ai ka probleme shëndetësore.

Partia Demokratike e dënon me ashpërsinë më të madhe këtë akt banditesk të policisë politike të Edi Ramës dhe hyzmeqarëve të tij, dhe kërkon lirimin e menjëhershëm të z. Kapo.

Asnjë përpjekje mafioze nuk e ndal opozitën të demonstrojë në Tiranë dhe në të gjithë vendin. Përpjekjet për frikësim të opozitës dëshmojnë frikën që ka kapur narko-qeverinë.

Të fundit