Flash News

Ditari i Opozitës

PD kërkon rishikimin e akuzës për Rrajat: Thyerja e kockave të kafkës dhe parakrahut nuk janë plagosje e lehtë

PD kërkon rishikimin e akuzës për Rrajat: Thyerja e kockave

Sekretari i Përgjithshëm i PD, Flamur Noka ka kërkuar rishikimin e akuzës për anëtarët e fisit Rraja të cilët dhunuan barabarisht Bilbil dhe Jashar Majës, për një gurore në Borizanë.

Noka tha se Prokuroria e Tiranës mbylli hetimet për "bandën e ish- deputetit të Ramës, Rrahman Rraja, që ushtroi dhunë intensive dhe gjakatare ndaj Bilbil dhe Jashar Majës." Prokuroria ka lehtësuar akuzat duke çuar në gjyq Rrajat për dy vepra penale: "plagosje e lehtë" dhe "kanosje".

Noka thotë se dhuna barbare me shkop bejsbolli ndaj Majave nuk mund të përkufizohet si plagosje e lehtë.

"Në asnjë teori apo literaturë të kriminalistikës, dhuna e ushtruar ndaj Majave nuk mund të përkufizohet si ‘plagosje e lehtë’. Prokuroria flak nga akuza shkopinjtë e bejsbollit, të cilët në asnjë manual, hiq rastin kur përdoren në rolin e tyre fillestar, për të luajtur bejsboll, nuk mund të konsiderohen si mjete të dhunës së lehtë.

Thyerja e dy kockave të kafkës dhe parakrahut, vlerësohet plagosje e lehtë nga Prokuria dhe kjo është tallje cinike me viktimat. Eshtë mbrojtje e hapur e kriminelëve. Edhe te termi ‘kanosje’, Prokurorisë i merret goja dhe këmbët. A e kanë parë prokurorët të paktën një anëtar të Rrajave që i rri me pistoletë te koka kushërinjve të gjakosur dhe përdhosur Maja?!

Një pistoletë e drejtuar, jo në kushtet e vetëmbrojtjes, por të agresionit është kërcënim për jetë, jo kanosje. 

Partia Demokratike e konsideron një turp për prokurorinë akuzën e ngritur, e dënon me neveri dhe kërkon rishikimin e saj. Edhe pse presioni i qeverisë, i të fortëve të fisit apo shoqërisë së Rrajave, ka qenë i pranishëm, prokurorët janë të dënuar të japin drejtësi sidomos në raste të tilla kur ceshtjet, para se të shkojnë te organi i akuzës, kanë kaluar nga gjykata e opinionit publik", deklaroi Noka.

Demokrati u shpreh se Prokuroria ka dalë haptas kundër asaj që të gjithë shqiptarët kanë parë, por ka marrë parasysh atë që Edi Rama dhe Rrajat kanë dashur që ata të shohin.

 

Të fundit