Flash News

Ditari i Opozitës

Përfundon faza e përgatitjeve, demokratët zgjedhin më 23 maj me referendum kryetarin e PD

Përfundon faza e përgatitjeve, demokratët zgjedhin më 23 maj

Partia Demokratike ka përfunduar organizimin për procesin zgjedhor të 23 majit, kur anëtarësia do t’i drejtohet kutive të votimit për të zgjedhur kryetarin e ri të partisë përmes referendumit sipas parimit “1 anëtar, 1 votë”.

Njoftimi u bë nga Ivi Kaso, në emër të Komisionit të Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale, gjatë një deklarate për mediat nga selia blu. Ai bëri të ditur se qendrat e votimit do të hapen në të gjitha degët e Partisë Demokratike në vend dhe procesi do të zhvillohet nga ora 08:00 deri në 18:00.

Sipas Kasos, në degët me numër më të lartë anëtarësh do të ketë më shumë se një qendër votimi, me qëllim lehtësimin e procesit për demokratët.

Ai theksoi se në referendum do të marrin pjesë 77 degë të Partisë Demokratike në të gjithë Shqipërinë, duke e cilësuar procesin si një ushtrim të demokracisë së drejtpërdrejtë brenda forcës politike.

DEKLARATA:

Në emër të Komisionit të Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale të Partisë Demokratike, njoftoj se ka përfunduar faza e përgatitjeve për procesin e datës 23 Maj, ku demokratët me referendum do zgjedhin kryetarin e tyre, sipas parimit 1 anëtar 1 votë.

Në të gjithë degët e Partisë Demokratike do të ngrihen qendrat e votimit ku, nga ora 08.00 deri në orën 18.00 demokratët janë të thirrur të votojnë masivisht, në këtë shprehje të demokracisë së drejtpërdrejte. Nëpër degët e mëdha, sipas kërkesave është përcaktuar se mund të ngrihet edhe më shumë se 1 qendër votimi.

Këtë të shtunë 77 degë të Partisë Demokratike në të gjithë Shqipërinë shprehen në referendum për kryetarin në një ushtrim të demokracisë.

Partia Demokratike është krenare sepse, që nga ngritja e Komisionit të Rithemelimit, deri më 23 maj, ka zhvilluar 7 procese zgjedhore të hapura, të drejtpërdrejta dhe demokratike.

Krejt e kundërta me parimin ‘një anëtar një votë’, ndodh në ‘partinë bunker’, ku prej më shumë se një dekade nuk bëhen zgjedhje dhe çdo emërim bëhet sipas parimit autokratik ‘një kryetar, një votë’.

Edhe njëherë u bëj thirrje të gjithë demokratëve të ushtrojnë të drejtën e votës në referendumin e së shtunës.

Të fundit