Flash News

Ditari i Opozitës

Përjashtimi i deputetëve të opozitës, sekretari i PL thirrje qytetarëve të dalin në protestë: Kuvendi s’mund të jetë zyrë noteriale

Përjashtimi i deputetëve të opozitës, sekretari i PL thirrje

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi u ka bërë thirrje qytetarëve që të protestojnë përpara Kuvendit.

Në një postim në rrjetet sociale, Blushi shkruan se Kuvendi nuk mund të jetë kurrë një zyrë noteriale për korrupsionin e kryeministrit, referuar debatit për përjashtimin e 23 deputetëve të opozitës nga mazhoranca si dhe refuzimin që kryeministri Edi Rama i ka bërë interpelancave të kërkuara për çështjen “McGonigal”. 

 “Përjashtimi brenda tri javëve i 23 deputetëve, vetëm që Edi Rama të mos hetohet për krimin që ka kryer me aferën “McGonigal”, bllokimi mafioz i të gjithë projektligjeve të opozitës, refuzimi i interpelancave, i heqjes të së drejtës së fjalës, i largimit nga Këshilli i Integrimit Europian, si dhe bllokimi i informacionit që deputetët i kërkojnë Qeverisë janë krime të vërteta ndaj parlamentarizmit, demokracisë, llogaridhënies, pluralizmit dhe opozitës që përfaqëson vullnetin e 750 mijë qytetarëve.

Kuvendi nuk mund të jetë kurrë një zyrë noteriale për korrupsionin e shfrenuar të Kryeministrit në largim.

Revolta popullore nuk do të ndalet! Ndaj nesër ne do të jemi sërish në protestë para Kuvendit, në mbrojtje me çdo çmim të Republikës Parlamentare!”, shkruan Blushi.

 

 

Të fundit