Flash News

Ditari i Opozitës

Policia ndryshon komunikimin, PD: Po merr rolin e ‘redaktorit’, tenton të fshehë ngjarjet

Policia ndryshon komunikimin, PD: Po merr rolin e ‘redaktorit’,

Partia Demokratike ka reaguar pas njoftimit të Policisë e Shtetit për ndryshimin e formës së komunikimit, ku njoftimet për ngjarjet do të jepen vetëm nga qendra.

Zëdhënësja e PD, Floriana Garo në një deklaratë nga selia blu tha se policia po merr rolin e redaktorit duke mos raportuar dhe duke fshehur ngjarjet.

Garo i bëri thirrje komunitetit të gazetarëve të protestojnë ndaj përpjekjes për ta mbajtur policinë larg medias.

DEKLARATA:

Skënder Hita, nën urdhrat e Kryeredaktorit dhe Censorit të Përgjithshëm, Edi Rama, doli para shqiptarëve për t’u treguar se, informacioni rreth ngjarjeve kriminale do të kalojnë fillimisht në filtrin e partisë. Si rrjedhojë nuk do të ketë komunikata shtypi për çdo ngjarje, siç ka qenë tradita, për gazetarët.

Kjo është një përpjekje e qartë për të fshehur korrupsionin, përfshirjen dhe amatorizmin e policisë në ndjekjen, zbulimin dhe parandalimin e ngjarjeve kriminale.

Kjo është përpjekje që Policia dhe qeveria, duke mos shpërndarë informacionin në kohë reale, të kenë mundësi që të bëjnë rolin e ‘Redaktorit’, dhe t’i raportojnë ngjarjet në fund të muajit. Pra, pasi të ketë kohën e mjaftueshme dhe mundësinë për të fshehur çdo implikim apo pazotësi të saj në ngjarje të caktuara.

Qytetarëve duhet t’u kujtohet se si ndryshoi disa herë raportimi për vrasjen nga Policia të të riut Klodian Rasha. Ky vendim i drejtorit të Policisë, me urdhër nga lart, synon pikërisht që të mos ketë më raste të ngjashme kur policia ‘del zbuluar’, duke raportuar informacione që nuk përputhen me ngjarjen dhe kthehen në mashtrim publik dhe mbeten në rekorde.

Komuniteti i gazetarëve duhet të protestojë fuqishëm ndaj kësaj përpjekjeje për ta mbajtur policinë të kriminalizuar dhe median larg, duke i pamundësuar skanimin në kohë reale të vrasjeve, plagosjeve, grabitjeve etj, por edhe reagimin e Policisë ndaj tyre.

Të fundit