Flash News

Ditari i Opozitës

Proces i qetë dhe interes i lartë në degët kryesore, mijëra demokratë u drejtohen kutive të votimit

Proces i qetë dhe interes i lartë në degët kryesore,

Partia Demokratike po zhvillon këtë të shtunë referendumin për votëbesimin e kryetarit të partisë, Sali Berisha, ndërsa procesi deri tani paraqitet i qetë dhe me pjesëmarrje të konsiderueshme në disa qarqe të vendit.

Votimi ka nisur në orën 08:00 dhe do të mbyllet në 18:00, sipas parimit “një anëtar, një votë”. Në fletën e votimit anëtarët kanë tre opsione: “pro”, “kundër” dhe “abstenim”.

Në qarkun e Beratit, procesi po zhvillohet pa incidente në selinë e PD-së në Berat, si edhe në degët Kuçovë, Dimal, Poliçan dhe Skrapar. Sipas drejtuesve lokalë të partisë, ritmet e pjesëmarrjes konsiderohen pozitive. Në të gjithë qarkun e Beratit janë thirrur të votojnë rreth 1640 anëtarë.

Pjesëmarrje të lartë pritet të ketë edhe në qarkun e Vlorës, ku sipas strukturave lokale të PD-së, numri i anëtarëve aktivë mbetet i lartë. Në Vlorë kanë të drejtë vote 1600 anëtarë, në Himarë 320 dhe në Selenicë 500.

Edhe në qarkun e Elbasanit procesi ka nisur normalisht. Në Elbasan pritet të votojnë 1515 anëtarë, në Gramsh 784, në Peqin rreth 500, në Belsh 1073, në Prrenjas rreth 300 dhe në Cërrik 523 anëtarë.

Në Shkodër, një nga degët më të mëdha të demokratëve, kanë të drejtë vote rreth 6800 anëtarë, ndërsa burime nga strukturat lokale flasin për një interes të lartë dhe proces të qetë votimi.

Ndërkohë, në qarkun e Korçës, strukturat e PD-së raportojnë pjesëmarrje të kënaqshme. Në Korçë lista përfshin rreth 5 mijë anëtarë, ndërsa aktivë në proces pritet të jenë 1200 deri në 1500 votues. Në Maliq janë 1835 anëtarë në listë, me mbi 1200 aktivë, ndërsa në Kolonjë rreth 500 anëtarë pritet të marrin pjesë. Në Devoll janë mbi 1500 anëtarë në listë dhe mbi 500 aktivë, ndërsa në Pogradec mbi 700 anëtarë konsiderohen pjesë aktive e strukturave.

Në qarkun e Lezhës, rreth 4 mijë anëtarë kanë të drejtë vote, ndërsa procesi po administrohet nga dy komisione të posaçme për garantimin e transparencës.

Edhe në Fier, Mallakastër, Patos, Roskovec dhe Lushnjë raportohen ritme të mira pjesëmarrjeje. Në Fier janë 1750 anëtarë aktivë në listë dhe pritet pjesëmarrje rreth 70%. Në Mallakastër, Patos dhe Roskovec pritet të votojnë mbi 60% e anëtarësisë. Ndërsa në Lushnjë, sipas burimeve nga dega lokale, pjesëmarrja ka kaluar tashmë 55%.

Në Tiranë, në degën nr. 2 të PD-së, ku funksionon qendra e votimit në selinë e partisë, janë thirrur të votojnë rreth 2020 anëtarë, ndërsa gjatë paradites është vërejtur fluks i vazhdueshëm votuesish.

Proces votimi po zhvillohet edhe në Kukës, ku janë ngritur tre qendra votimi për 1740 anëtarë me të drejtë vote.

Deri tani, referendumi në PD paraqitet pa probleme apo incidente të raportuara, ndërsa drejtuesit lokalë të partisë flasin për një pjesëmarrje më të lartë krahasuar me proceset e fundit të brendshme politike.

Të fundit