Flash News

Ditari i Opozitës

"Të jenë burim hetimi për drejtësinë", Basha i trembet denoncimeve, kërkon 'mbrojtje' nga Rama

"Të jenë burim hetimi për drejtësinë", Basha

Lulzim Basha duket se nuk i ka përtypur dot denoncimet e kreut të grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi, nga foltorja e Kuvendit.

Së fundmi, në një postim në Facebook, Basha shkruan se do të paraqesë një amendament që sipas tij heq imunitetin e deputetëve që janë në ndjekje penale nga SPAK dhe detyron deputetët të mbajnë përgjegjësi për deklaratat që bëjnë në Kuvend.

Pra, Basha pretendon që deputetët të mos denoncojnë nëse nuk duan të përballen me ligjin, sipas amendamentit që supozohet se do të dorëzojë grupi i tij. Ajo që bie në sy është fakti se Basha i akuzon këta deputetë si shpifës e mashtrues, përpos denoncimeve që bëjnë.

“Brenda këtij muaji ky amendament do të paraqitet nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërisë:

Të hiqet imuniteti i deputetëve para ndjekjeve penale nga SPAK-u.

Deputeti të mbajë përgjegjësi për deklaratat që bën.

Deputeti nuk duhet të ketë imunitet kur SPAK ndërmerr një hetim ndaj tij. Pse një qytetar për një shkelje të vogël shkon pa imunitet te prokurori, madje shkon dhe në paraburgim, kurse një deputet apo ministër që akuzohet se ka vjedhur 5, 50 apo 200 milionë euro nuk shkon dot pa iu hequr imuniteti me tam tame e ceremoni? E ndërkohë merr arratinë sepse e ka marrë vesh e gjithë bota siç është rasti i ish-zëvendëskryeministrit të Edi Ramës? Ky është sot burim i pengesave të drejtësisë për të vendosur para ligjit pushtetarët, deputetët, ministrat e korruptuar.

Po kështu ne do kërkojmë që Deputeti të mbajë përgjegjësi për deklaratat e tij. Dy entitete nuk mbajnë përgjegjësi sot për atë që thonë: deputetët e Kuvendit të Shqipërisë dhe personat me kartelë psiqike. Salla e Kuvendit, është kthyer në një sallë banalitetesh. Kjo duhet të marrë fund. Çdo denoncim i deputetit nga aula e Kuvendit, duhet të jetë burim për hetim nga prokuroria. Dhe hetimet ose do të çojnë para drejtësisë ata që deputeti denoncon, ose do të çojë para drejtësisë deputetin si gënjeshtar, mashtrus dhe shpifës. Vetëm kështu i japim fund politikës së privilegjeve për pushtetarët, për të ofruar politikën në shërbim të njerëzve”, shkruan Basha në Facebook.

Të fundit