Flash News

Ditari i Opozitës

Tragjedia në Durrës, Zhupa : Drejtimi i mjetit në gjendje të dehur të trajtohet si krim, jo si aksident

Tragjedia në Durrës, Zhupa : Drejtimi i mjetit në gjendje të

Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, ka reaguar me tone të forta pas ngjarjes tragjike në Durrës, duke kundërshtuar ashpër mënyrën se si trajtohen rastet e drejtimit të mjetit nën efektin e alkoolit.

Në reagimin e saj, Zhupa kërkon ndërhyrje në Kodin Penal, në mënyrë që drejtimi i mjetit në gjendje të dehur të konsiderohet krim i rëndë kundër jetës. Ajo thekson se kush ulet në timon në këto kushte është i vetëdijshëm për pasojat që mund të shkaktojë.

Reagimi i plotë i Zhupës:

“Sot është një ditë e zezë që duhet të na shkundë të gjithëve.

Nuk gjej dot fjalët e duhura për të shprehur ngushëllimet më të thella për familjet që kanë humbur pjesën e shpirtit të tyre, fëmijët e tyre. Lutem me gjithë zemër për shërimin e fëmijës së plagosur.

Ky është rasti për të reflektuar si ligjvënës, nuk mund të vazhdojmë t’i quajmë “aksidente” apo “pakujdesi” raste kur dikush hipën i dehur në timon. Ky është një akt i vetëdijshëm, ku makina kthehet në armë dhe rreziku për jetën e të tjerëve është i qëllimshëm.

Është koha që Kodi Penal të mos i trajtojë më këta persona si shkelës të rregullave të qarkullimit rrugor, por si autorë të krimeve të rënda kundër jetës. Kush drejton mjetin në gjendje të dehur, e bën me dijeni të plotë të pasojave.

Drejtësia duhet të jetë në lartësinë e duhur dhe të japë drejtësi të vërtetë.”

Të fundit