Flash News

Ditari i Opozitës

Trajtim çnjerëzor në burgun 313, denoncimi i PD: Enver Sheshi vdiq në mënyrë të dyshimtë, thirrje ambasadorëve

Trajtim çnjerëzor në burgun 313, denoncimi i PD: Enver Sheshi

Sekretari për të Drejtat e Njeriut në PD, Bislim Ahmetaj, ka denoncuar trajtimin që po u bëhet të burgosurve në burgun 313 në Tiranë, aty ku ndërroi jetë disa ditë më parë i arrestuari pr inceneratorët, Enver Sheshi.

Në nëj deklaratë nga selia blu, Ahmetaj tha se edhe pse temperaturat kanë shënuar një rënie të ndjeshme dhe kushtet e motit nuk kanë qenë të mira, institucioni nuk ka ndezur sistemin e ngrohjes.

“Sipas Institutit të Shendetit Publik temperaturat e ulta dhe lagështia e lartë e ajrit përbëjnë rrezik serioz për jetën e të sëmurëve kronikë me sëmundje kardiovaskulare, koronare, infarktet e miokardit, goditje në tru, sëmundjet e frymëmarrjes, kockave, sëmundjet endocrine, crregullimet neurologjike si edhe sëmundjet e lëkurës”, thotë Ahmetaj, teksa përmend vdekjen e dyshimtë të Enver Sheshit.

Ahmetaj ngre pyetjen se kush është vënë në shënjestër nga Rama dhe vartësi i tij Ulsi Manja, me torturat fizike.

Deklarata e Ahmetajt:

Sekti i Rilindjes e ka dëshmuar me vepra se dhunimi dhe shkelja e përditshme e lirive dhe të drejtave të shqiptarëve janë një hobby për të, praktikë kjo e trashëguar nga baballarët e tyre të cilët erdhën në pushtet duke vrarë shqiptarë, e mbajtën pushtetin po duke vrarë, dënuar, torturuar dhe internuar çdo kundërshtar të regjimit të tyre gjakatar.

Në cilësinë e Sekretarit për të Drejtat e Njeriut denoncoj aktin e trajtimit çnjerëzor që po u bëhet të paraburgosurve në burgun 313 në Tiranë. 

Edhe pse ka disa ditë që temperaturat në Tiranë kanë zbritur afër zeros dhe lagështia e ajrit ka qenë mbi 82% në mjediset e brendshme të 313-ës, por edhe në Institucione të tjera të Ekzekutimit të Vendimeve Penale të vendit, nuk janë ndezur akoma sistemet e ngrohjes. 

Sipas Institutit të Shendetit Publik temperaturat e ulta dhe lagështia e lartë e ajrit përbëjnë rrezik serioz për jetën e të sëmurëve kronikë me sëmundje kardiovaskulare, koronare, infarktet e miokardit, goditje në tru, sëmundjet e frymëmarrjes, kockave, sëmundjet endocrine, crregullimet neurologjike si edhe sëmundjet e lëkurës.

Po ky Institut thekson që temperaturat nën 12 gradë deri në 5 gradë përbëjnë rrezik serioz për jetën e bartësve të këtyre sëmundjeve, por edhe për njerëzit me shëndet normal.

Kjo që po ndodh sot në burgjet shqiptare nuk është gjë tjetër vecse një formë e torturës dhe trajtimit çnjerëzor, e ngjashme me kohën e baballarëve të tyre. 

Gjithashtu është tregues i një aferë korruptive, pasi fondet për ngrohje janë ta planifikuara dhe të derdhura në buxhetin e Ministrisë së Drejtësisë.

I ndjeri Enver Sheshi, i akuzuar për aferën e inceneratoreve vdiq në mënyrë të dyshimtë para pak ditësh nga një atak i beftë kardiak kur temperaturat në Tiranë ishin 18-20 gradë. 

Cilët kanë vënë në shënjestër Edi Rama dhe Ulsi Manja tani që temperaturat e natës në Tiranë kanë rënë në 2-3 grade?!?

Kush ka urdhëruar për këtë torture fizike dhe psikologjike që ju bëhet të paraburgosurve në IEVP?!?

Kush i vjedh paratë e destinuara për ngrohjen e IEVP-ve të vendit?!?

Edi dhe Ulsi: ndizni kaldajat e burgjeve se duke ngrirë dhe humbur jetë të burgosurish po digjni shpirtin tuaj në ferr.

Për mbyllje kam një lutje për Ambasadoren e SHBA-ve, për Ambasadoren e BE, per Komitetin e Helsinkit dhe Përfaqësin e OSBE-së në Tiranë: Mjaft nëpër tribuna luksi, shkoni dhe vizitoni burgjet e Tiranës dhe Shqipërisë, sic vepruan pararendësit tuaj në vitet ‘91-’92!

Të fundit