Flash News

KRYESORE

Donald Tusk shuan shpresat e Shqipërisë për hapjen e negociatave

Donald Tusk shuan shpresat e Shqipërisë për hapjen e negociatave

Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk ka deklaruar se Bashkimi Evropian duhet të nisë bisedimet për anëtarësim me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, mirëpo ka paralajmëruar se nuk do të ketë vendim të shpejtë.

“Unë personalisht besoj se duhet të ketë vetëm një vendim: për të nisur negociatat, bazuar në rekomandimet e Komisionit Evropian”, ka thënë Tusk në një konferencë të përbashkët me presidentin maqedonas, Stevo Pendarovski në Bruksel.

Tusk ka thënë se të dyja shtetet e Ballkanit kanë bërë “gjithçka që është pritur” për të vazhduar rrugën drejt anëtarësimit, mirëpo ka shtuar se “jo të gjitha shtetet anëtare janë të përgatitura për të marrë vendim për hapje të negociatave në ditët në vijim”.

Muajin e kaluar, Komisioni Evropian ka rekomanduar hapjen e bisedimeve për të dyja këto shtete. Kjo çështje pritet të diskutohet në një takim të ministrave të BE-së gjatë javës së ardhshme në Luksemburg.

Kryeministri, Edi Rama, i ka bërë thirrje BE-së të nisë procesi i negociatave. Duke folur me Ramën në Bruksel, presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, ka thënë se ky nuk është “mision i pamundur”, mirëpo sipas tij një gjë e tillë duket se nuk ka mundësi të ndodhë këtë muaj.

Shtetet që kanë dalë kundër hapjes së negociatave janë Franca, Holanda, Gjermania dhe së fundmi Belgjika. Katër shtetet në union nuk janë të kënaqura me luftën kundër krimit dhe korrupsionit në Shqipëri.

Të fundit