Flash News

E-TJERA

Aeroporti i Vlorës në ngërç, Ministria paralajmëron penalitete ndaj koncesionarëve

Aeroporti i Vlorës në ngërç, Ministria paralajmëron

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka paralajmëruar penalitete ndaj kompanive të përfshira në koncesionin e Aeroportit të Vlorës, Mabco e biznesmenit Behgjet Pacolli dhe VIA e Valon Ademit, për shkak të vonesave në përfundimin dhe vënien në funksion të projektit.

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, deklaroi se aeroporti ende nuk është operacional dhe nuk ka përmbushur as kushtet e ndërtimit dhe as ato të certifikimit për fluturime.

Sipas tij, këto afate duhet të ishin respektuar në këtë fazë të projektit, duke e bërë të domosdoshëm aplikimin e penaliteteve të parashikuara në kontratë.

“Duhet të kuptojmë që operacionaliteti nuk lidhet vetëm me ndërtimin e veprës civile, por edhe me marrjen e certifikatave përkatëse. Asnjëra prej tyre nuk është përmbushur. Në bazë të kontratës, këto duhet të kishin ndodhur tashmë, ndaj do të vendosen penalitete ndaj subjekteve,” u shpreh Karakaçi.

Ai shtoi se mosmarrëveshjet mes dy kompanive koncesionare janë çështje private mes tyre, por që po ndikojnë drejtpërdrejt në vonesat e projektit dhe në reputacionin e aeroportit.

“Bëhet fjalë për një konflikt mes dy shoqërish që kanë marrë pjesë me vullnet të lirë në këtë projekt. Ky konflikt, që tashmë ka kaluar edhe në gjykata, po sjell vonesa të mëtejshme dhe po dëmton reputacionin e aeroportit,” tha ministri.

Prej disa ditësh dhjetëra punëtorë të kompanisë Mabco dhe nënkontraktorë të saj janë penguar nga policia private e kompanisë “Vlora International Airport” për të hyrë në kantier. Nga ana tjetër, kamionët dhe punëtorët e “2A Group” kanë vijuar normalisht punën brenda aeroportit.

Të fundit