Flash News

E-TJERA

“Aeroportin e Vlorës e ndërtova me paratë e mia”, Pacolli akuza shtetit shqiptar: Po përdor forcën

“Aeroportin e Vlorës e ndërtova me paratë e mia”,

Biznesmeni Behgjet Pacolli ka reaguar ashpër në rrjetet sociale lidhur me situatën e krijuar rreth aeroportit të ndërtuar nga kompania e tij, duke deklaruar se ndërhyrja e shtetit dhe e Policisë së Shtetit është “joligjore” dhe cenon jo vetëm investimin e tij, por edhe dinjitetin e punëtorëve dhe imazhin e Shqipëri ndaj investitorëve të huaj.

Në një reagim të gjatë nga Astana, Pacolli tha se aeroporti është ndërtuar tërësisht me fondet e tij, me mbi 310 milionë euro investime dhe garanci financiare, ndërsa theksoi se nuk dëshiron të përballet me shtetin. Megjithatë, ai paralajmëroi se mënyra se si po përdoret fuqia shtetërore “nuk i takon një vendi që pretendon të jetë shtet ligjor”, duke shtuar se dëmi më i madh është ai moral dhe njerëzor ndaj stafit dhe ekspertëve të përfshirë në projekt.

Reagimi i plotë: 

Një gazetar autoritativ nga Shqipëria më telefonoi sot, këtu në Astana, dhe më pyeti:
“Zoti Pacolli, çfarë do të bëni tani, pasi aeroportin jua morën me Policinë e Shtetit?”
Përgjigjja ime ishte e qartë:
Objektet të cilat MIE, më 24 gusht, i kishte ndarë nga tërësia e projektit dhe i kishte përcaktuar për t’u përfunduar nga MABCO, janë faktikisht të përfunduara. Që nga marsi i këtij viti, në pritje të përmbushjes së detyrimeve nga VIA, ne kemi pastruar objektet, kemi kryer punimet përfundimtare dhe kemi rregulluar edhe gjelbërimin përreth.
Aeroporti është ndërtuar ekskluzivisht me mjetet e mia financiare. Janë mbi 310 milionë euro të investuara dhe të angazhuara në formë garancish. Vetëm Valon Ademi, si punëkryes, ka marrë mbi 35 milionë euro nga garancioni i MABCO-s.
Aeroportin — le ta marrin! Unë nuk dua të luftoj me shtetin. Shteti e ka fuqinë e vet dhe mund ta përdorë si të dojë. Por mënyra se si po përdoret kjo fuqi është joligjore dhe e papranueshme për një vend që pretendon të jetë shtet ligjor. Çfarë ka ndodhur dhe si ka ndodhur, koha do ta tregojë. Pa merak.
Pyetja e dytë ishte:
“Çfarë do të ndodhë me njerëzit që tani kanë mbetur pa punë dhe a do të paguhen nënkontraktorët?”
Iu përgjigja se ata janë paguar dhe çdo detyrim i mbetur do të paguhet deri në centin e fundit. Sa u përket punëtorëve dhe ekspertëve tanë, ne do të përpiqemi t’i angazhojmë në projekte të tjera jashtë vendit. Ata për ne kanë vlerë dhe nuk do të lihen pas dore.
Por për këta njerëz, përveç anës financiare, ekziston edhe një problem shumë më i madh: ai njerëzor dhe moral. Këta njerëz janë prekur në dinjitetin e tyre nga ndërhyrja e policisë. Në kantier u kanë mbetur instrumentet e punës, pajisjet, sendet personale, kasafortat, materialet personale, materialet e punës në magazina dhe shumëçka tjetër.
Më e rënda është se është cenuar dinjiteti njerëzor i njerëzve të punës — i atyre që në këtë projekt kanë dhënë mundin, djersën, profesionalizmin dhe një pjesë të jetës së tyre.
Pikërisht këtu qëndron padrejtësia më e madhe. Çështjet materiale të MABCO-s, herët a vonë, do të rregullohen me ligj. Por dëmi që i bëhet dinjitetit të njeriut, besimit te shteti dhe imazhit të Shqipërisë para investitorëve nuk riparohet lehtë.
Unë, për aq sa është e mundur, do të vazhdoj të mbroj interesin e kombit, interesin e punëtorëve dhe parimin se shteti duhet të jetë garant i ligjit — jo instrument presioni ndaj atyre që punojnë, ndërtojnë dhe investojnë.

Të fundit