Flash News

E-TJERA

Akuza për korrupsion, pezullohen dy policë në Elbasan

Akuza për korrupsion, pezullohen dy policë në Elbasan

Policia e Elbasanit ka pezulluar dy efektivët që u denoncuan mbrëmjen e djeshme në emisionin “Stop”.

Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan, në zbatim të nenit 222 të rregullores së Policisë së Shtetit, ka pezulluar menjëherë nga detyra, deri në sqarimin e plotë të këtij rasti, 2 punonjësit e Policisë: -inspektor Skënder Nipolli me detyrë ndihmësspecialist i Policimit në Komunitet, në Stacionin e Policisë Belsh; -inspektor Genc Çalja, aktualisht me detyrë ndihmësspecialist (agjent krimesh) në Komisariatin e Policisë Cërrik”, njoftuan uniformat blu.

Por çfarë u denoncua në “Stop”?

Ylli Gjoshi, një banor i fshatit Seferan në Belsh, denoncoi policët e bashkisë dhe të komisariatit pasi sipas tij i kanë marrë një shumë parash për të lejuar një ndërtim pa leje që ai kishte nisur.

Në fillim ka qenë polici bashkiak Agron Hysa, që i është shfaqur teksa punonte dhe të cilit, Gjoshi tha se i dha 500 Euro pasi ai i kishte thënë se ia nxirrte lejen.

Mirëpo pasi kishte përfunduar punimet dhe po ndërtonte avllinë, i kanë shkuar dy policët e sapo pezulluar, Nipolli dhe Çalja.

Madje në një video të dokumentuar, ata i kanë shkuar me furgon. Në këtë moment, Gjoshi tha se i ka dhënë 500 mijë lekë dhe paratë i ka futur në furgon.

Të fundit