Flash News

E-TJERA

Ambasadorja e Izraelit në Tiranë: Pas sulmit fshihet Irani

Ambasadorja e Izraelit në Tiranë: Pas sulmit fshihet Irani

Ambasadorja e Izraelit në Tiranë, Galit Peleg komentoi situatën e krijuar prej së shtunës në Izrael, pas bombardimeve të grupit terrorist të Hamasit.

Në një lidhje “Skype” për emisionin “Open”, ajo u shpreh se bëhet fjalë për 900 jetë njerëzish të humbura deri tani, ndërsa sipas saj, pas këtij sulmi qëndron Irani.

Ajo tha se Izraeli do të sulmojë nga toka Gazën, në një operacion që e quajti se do të “vuajnë pak civilët”, por kjo është e vetmja formë që ata t’i bëjnë presion lidershipit. Sipas saj sulmi më i thjeshtë është bombardimi nga ajri, por këtë nuk do ta bëjnë, pasi në këtë mënyrë do të vriteshin më shumë civile, dhe se ky nuk është qëllimi i izraelit.

Më tej ambasadorja tha se do të ketë një hetim për shërbimin e inteligjencës, por prioritet aktualisht është mbrojtja e qytetarëve dhe dhënia e ndihmës për viktimat.

Pjesë nga intervista:

Ishte një sulm mjaft i rëndë, siç e tha dhe kryeministri, ishte një luftë që na u detyrua ne. Në këtë sulm, kishte aktorë të tjerë?

-Ne dimë se janë disa vende që japin para Hamasit, sidomos Katari, megjithatë forca kryesore që po i inkurajon është Hamasi në jug, Irani, Libani… ata kanë çdo lloj interesi për nxitje trazirash në rajon. Edhe pse ne po përpiqemi që të bashkëpunojmë në aspektin ekonomik, sipas edhe dëshirës së Arabisë Saudite, gjë që këto vende nuk e pëlqejnë… kjo nuk funksionon për këto vende që përmenda.

Çfarë ndodhi me shërbimin inteligjent izraelit?

-Edhe ne e kemi bërë këtë pyetje, por nuk mund ta jap një përgjigje sepse nuk e dimë. Por do të ketë investigime. Terroristët në fillim sulmuan bazat ushtarake në kufi me Gazën, por për t’ju thënë se çfarë nuk shkoi, mendoj se është një pyetje se do të duhet të hetohet. Nuk mund të hetohet në këto momente, pasi po përpiqemi të ndihmojmë njerëzit në këto momente. Do të duhet të zhvillohen 900 funerale, është shumë e vështirë për të kuptuar një situatë të tillë.

A kemi lajme për lirimin e pengjeve?

-Nuk kemi informacione për pengjet, por dimë se pjesa më e madhe që u morën peng, disa prej tyre janë fëmijë, madje edhe disa muajsh. Janë marrë peng me prindërit e tyre. Janë të paktën dy gra të moshuara, një prej tyre është marrë së bashku me asistenten e saj. Ne e dimë që po flasim për gati 130 persona të marrë peng. Ne shpresojmë që dimë si është gjendja e tyre.  Është koha që organizatat ndërkombëtare të punojnë në këtë moment, sidomos për fëmijët dhe të moshuarit.

Kryeministri deklaroi se është në luftë dhe do ndryshojnë lindjen e mesme…

-Mendoj se këtë herë do të shkojmë në gaza për të shkatërruar infrastrukturën ushtarake. E dimë se aty ka shumë civilë dhe Hamasi po përfiton nga ky fakt. Është një zonë e mbushur me popullsi, ka shumë kopshte dhe ata e dinë se ne nuk do bombardojmë kurrë një shkollë. Është e pamundur për të pasur një operacion të shpejtë ushtarak,  por do të jetë i thellë. Qëllimi ynë është shkatërrimi i infrastrukturës dhe të sigurohemi se nuk do funksionojnë në vitet e ardhshme dhe se nuk do të mund të kryejnë me sulme. Ne kemi vendet fqinje që po na mbështesin, dhe jam e sigurt se ata nuk duan destabilitet. Presim që komuniteti ndërkombëtarë këtë herë Izraeli do të ketë kohën e duhur që të shkatërrojmë këto organizata terroriste nga tokat tona.

Gaza nuk është ashtu si duan t’ua tregojnë, Hamasi jeton një jetë mjaft të mirë, me vila luksoze, kanë mjaftueshëm për të ndarë me popullin e Gazës, por do të vuajnë pak. Por duhet t’i bëjnë presion lidershipit të tyre që t’i japin fund kësaj sjellje terroriste. Duhet të gjejnë mënyrë për t’i bërë presion lidershipit. S’mund të kemi nga një anë vende që vuajnë nga sulmet, dhe ana tjetër civilë që fshihen pas organizatave terroriste. Ky presion mendoj se do japë rezultate. Sapo kjo të perëndojë, populli i Gazës do t’i kthehet jetës normale.

Rrethimi i Gazës dhe deklaratat e ministrit të brendshëm izraelit anë marrë si shenja për një sulm tokësor për të mposhtur Hamasin. A po planifikon Izraeli një sulm nga toka?

-Nuk mund të them se cilat janë planet ushtarake, por ne duam të dërgojmë ushtarët që mos bombardojmë nga ajri dhe të ruajmë jetën e njerëzve. Ushtarët do të vendosin pikat kryesore ku ndodhen liderët terroristë. Gjeja më e lehtë është të bombardojmë nga ajri. Por ne po rrezikojmë ushtarët që të shkojnë nga afër. Por ne duam të kapim njerëzit që duam dhe jo të vrasim familje apo njerëz në rrugë që nuk janë përfshirë.

 

 

Të fundit