Flash News

E-TJERA

Begaj dërgon për rishqyrtim ligjin për Shtetësinë: Nuk ka marrë numrin e kërkuar të votave

Begaj dërgon për rishqyrtim ligjin për Shtetësinë: Nuk

 

Presidenti Bajram Begaj ka kthyer për rishqyrtim ligjin për Shtetësinë. Begaj argumenton se ligji është miratuar pa përmbushur numrin e nevojshëm të votave.

Në këto kushte Begaj thekson se ligji nuk mund të quhet i miratuar duke kërkuar rikthimin në Kuvend të ligjit dhe rivotimin e tij.

“Nga procesverbali i seancës plenare të datës 21.9.2023 dhe të dhënave të votimit elektronik konstatohet se miratimi i amendamentit të dytë është bërë me 78 vota, i amendamentit të tretë me 77 vota, i amendamentit të katërt me 78 vota dhe i amendamentit të pestë me 79 vota.

Për një ligj për të cilin Kushtetuta ka parashikuar miratimin me shumicë të cilësuar, konkretisht 84 vota, këto amendamente nuk e kanë marrë numrin e kërkuar të votave dhe nuk mund të quhen të miratuara.

Kushtetuta në nenin 78 përcakton se: “Kuvendi vendos me shumicën e votave, në prani të më shumë se gjysmës së të gjithë anëtarëve të tij, përveç rasteve kur Kushtetuta parashikon një shumicë të cilësuar”, sikurse përcakton në pikën 1 të nenit 83 se “projektligji votohet tri herë: në parim, nen për nen dhe në tërësi”.

Analiza e këtyre dispozitave çon në mënyrë të pashmangshme në konkluzionin se shumica e cilësuar është kërkesë, së cilës i nënshtrohen të tre komponentët e votimit, si votimi në parim ashtu dhe votimi nen për nen dhe ai në tërësi.

Në procesin e kontrollit kushtetues, konstatimi i shkeljeve procedurale, të cilat bien ndesh me një dispozitë kushtetuese (shkronja “b” e pikës 2 të nenit 81 të Kushtetutës) është shkak i vetëmjaftueshëm për kthimin për shqyrtim të ligjit.

Bazuar në vlerësimin e mësipërm, rezulton se katër nga pesë amendamentet e propozuara nga grupi i deputetëve, në projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.113/2020 “Për shtetësinë” përcjellë Kryetares së Kuvendit me shkresë nr. 2810 prot., datë 20.9.2023, nuk kanë marrë votat e nevojshme për të krijuar shumicën e cilësuar prej tri të pestave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit. Ky fakt e bën ligjin nr. 77/2023 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.113/2020 “Për shtetësinë”, antikushtetues për shkak se një numër dispozitash të tij nuk janë miratuar në përputhje me kërkesat e sanksionuara nga pika 2, shkronja b) e nenit 81 dhe pika 1 e nenit 83 të Kushtetutës të Republikës së Shqipërisë. Nisur nga sa më sipër kam vendosur:

Kthimin për rishqyrtim të ligjit nr. 77/2023 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 113/2020, “Për shtetësinë””,thuhet në njoftim.

Të fundit