Flash News

E-TJERA

Bullgaria fiton Eurovision 2026, Shqipëria renditet e 13-ta

Bullgaria fiton Eurovision 2026, Shqipëria renditet e 13-ta

Bullgaria është shpallur fituese e edicionit jubilar të 70-të të Eurovision Song Contest 2026, pas një nate spektakolare të zhvilluar në arenën “Wiener Stadthalle” në Vjenë. Trofeu i këtij viti shkoi për këngëtaren bullgare DARA, e cila triumfoi me performancën energjike të këngës “Bangaranga”, përballë Izraelit i cili u pozicionua në vendin e dytë.

Finalja e madhe zgjati afro katër orë dhe u shoqërua me emocione të forta gare, performanca mbresëlënëse dhe një atmosferë elektrizuese në skenën austriake.

Shqipëria u përfaqësua nga Alis me baladën “Nân”, një interpretim emocional që u mirëprit si nga publiku në sallë, ashtu edhe nga teleshikuesit në mbarë Evropën. Në skenë, artisti shqiptar u shoqërua nga aktorja e njohur Rajmonda Bulku, duke sjellë një performancë artistike të vlerësuar për ndjeshmërinë dhe atmosferën e saj.

Në renditjen përfundimtare, Shqipëria u pozicionua në vendin e 13-të mes 25 shteteve finaliste, me gjithsej 145 pikë.

Nga juritë profesionale të vendeve pjesëmarrëse, Shqipëria siguroi 60 pikë. Vlerësimi maksimal erdhi nga Portugalia me 12 pikë, ndërsa mbështetje të konsiderueshme dhanë edhe Mali i Zi, Kroacia dhe Qipro.

Ndërkohë, publiku evropian dhe diaspora shqiptare kontribuuan me 85 pikë për këngën “Nân”, duke e kthyer performancën shqiptare në një nga më të komentuaret e mbrëmjes.

Të fundit