Flash News

E-TJERA

Dendias zbarkon në Tiranë: a do të shkojë çështja e detit në Hagë?

Dendias zbarkon në Tiranë: a do të shkojë

Bisedimet për çështjen e detit mes Greqisë dhe Shqipërisë pritet të jenë në qendër të vizitës së Ministrit grek të Mbrojtjes, Nikos Dendias, sot në Tiranë, ku ai do të takohet me Kryeministrin Edi Rama.

Sipas mediave greke, vizita e Dendias synon kryesisht rifillimin e procesit për zgjidhjen e të ashtuquajturës “çështje e detit”, që lidhet me përcaktimin e Zonës Ekskluzive Ekonomike (ZEE) mes dy vendeve.

Procesi i negociatave ka mbetur i bllokuar prej vitesh, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë që rrëzoi marrëveshjen e vitit 2009 për kufijtë detarë.

Në vitin 2020 pati një dakordësim për të rifilluar negociatat mes Shqipërisë dhe Greqisë për çështjen e kufirit detar. Palët deklaruan se do të nisnin procesin teknik dhe konsultimet për ta çuar çështjen drejt një zgjidhjeje, përfshirë edhe opsionin e Gjykatës së Hagës, por pakti nuk u finalizua.

Tashmë, Athina dhe Tirana po shohin mundësinë për të rikthyer diskutimet në tryezë, në një moment kur marrëdhëniet dypalëshe konsiderohen më të ngrohta dhe kur Greqia po shtyn përshpejtimin e integrimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian.

Kryeministri Edi Rama, gjatë pjesëmarrjes në Forumin Ekonomik të Delfit në Greqi në prill 2024, deklaroi se Shqipëria dhe Greqia kishin rënë dakord që çështja e kufijve detarë të dërgohej për shqyrtim në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë.

“Tashmë kemi një marrëveshje me qeverinë greke për të shkuar në Gjykatën Ndërkombëtare. Kështu do të bëhet dhe pastaj i takon gjykatës të vendosë”, u shpreh Rama.

Në këtë kuadër, vizita e Dendias shihet si një hap drejt rifillimit të negociatave të pezulluara për kufijtë detarë mes dy vendeve.

 

Të fundit