Flash News

E-TJERA

Denoncimi tronditës i pacientes: Jetova tre muaj me këtë fasho në bark, mjeku e harroi gjatë operacionit

Denoncimi tronditës i pacientes: Jetova tre muaj me këtë fasho

Skandalet që prodhon neglizhenca e mjekëve janë nga më të paimagjinueshmet. I tillë është rasti i një pacienteje të quajtur Blerta Xhaferraj, e cila pasi i është nënshtruar një operacioni, mjeku i ka harruar në bark një fasho të plotë me gjatësi të konsiderueshme.

Nga imazheria dilte rreth 11 centimetër e gjatë por duhet të kemi parasysh se ajo ka qenë e mbledhur. Në momentet e nxjerrjes nga barku duket se fasha ishte edhe më e gjatë siç duket në këto pamje të cilat ne do ti shfaqim të censuruara pasi janë tepër të rënda.

Për shkak të tronditjes psikologjike që pësoi, zonja Xhaferraj e ruan ende fizikisht edhe pas 3 vitesh këtë fasho si provë të një skandali mjekësor.

Por, si ka nisur historia që i rrezikoi jetën 51-vjeçares, e cila edhe pse me një vendim gjykate në favor, nuk po merr drejtësinë e merituar.

Referuar dokumenteve, pacientja i është nënshtruar një operacioni në një spital privat në Tiranë në 5 Mars të vitit 2020 për heqjen e një mase mishi të huaj në mitër.

Operacioni në spitalin privat u realizua nga kirurgu H. K, i cili edhe në vitin 2016 është arrestuar nën akuzën e “mjekimit të pakujdesshëm”.

10 ditë më vonë, pacientja ka hequr penjtë. Por, pasojat e fashës brenda trupit kishin filluar të ndiheshin duke u manifestuar me dhimbje barku dhe temperaturë. Ajo nuk u normalizua asnjëherë dhe i shprehu shqetësim doktorit. Muajt në vijim gjendja rëndohej.

Ajo kreu sërish ndërhyrje dhe mjekët i heqin fashën e harruar.

 Pas provave të pakontestueshme filmike dhe ekzaminimeve mjekësore, gjykata konkludoi në fajësinë e mjekut dhe spitalit privat. Në fund, u vendos një dëmshpërblim prej 3.5 milionë lekë të reja për pacienten nga 6 milionë që ajo kërkoi.

Por, zonja Xhaferraj nuk ka marrë asnjë lekë pasi është refuzuar dhënia e vendimit me ekzekutim të përkohshëm, pra, para se rasti të marrë formën e prerë. Çështja nuk është shqyrtuar ende në Apel, një proces që për shkak të ngarkesës në gjykata mund të zgjasë me vite.

Shpesh herë, pacientët nuk kanë arritur të marrin drejtësinë pasi mund të jenë larguar nga kjo botë.

Marrë nga Top Channel

Të fundit