Flash News

E-TJERA

Ekipi i gazetarëve shqiptarë kërcënohet me armë, sulmohet operatori. CPJ thirrje për hetim

Ekipi i gazetarëve shqiptarë kërcënohet me armë,

Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve ka reaguar pas një rasti të kërcënimit me armë të ekipit të gazetarëve të Top Channel.

“Autoritetet shqiptare duhet të hetojnë me shpejtësi dhe tërësisht sulmin e fundit ndaj një ekipi televiziv për transmetuesin privat Top Channel, të mbajnë përgjegjës autorët dhe të sigurojnë që reporterët që mbulojnë minierat ilegale dhe çështje të tjera mjedisore të mund të punojnë lirshëm”, thuhet në reagimin e Komitetit.

Më 8 shkurt, tre persona kërcënuan dhe sulmuan një ekip prej tre personash të emisionit investigativ Fiks Fare në Top Channel, i përbërë nga reporterja Antela Lika, operatori i kamerës Daniel Shkulaku dhe shoferi Mark Arra, sipas raportimeve të transmetuesit dhe SafeJournalists.

“Autoritetet shqiptare duhet të kryejnë një hetim të shpejtë dhe të plotë për sulmin e fundit ndaj reporteres së Top Channel, Antela Lika dhe ekuipazhit të saj, të gjejnë autorët dhe t'i kërkojnë llogari,” tha Përfaqësuesi i CPJ për Evropën, Attila Mong. “Gazetarët që mbulojnë çështje mjedisore veprojnë në emër të publikut; sulmi apo frikësimi i tyre është krejtësisht i papranueshëm dhe thjesht tregon se sulmuesit kanë diçka për të fshehur.”

Ekipi po përdorte një dron për të filmuar një operacion të supozuar të minierave të paligjshme pranë qytetit të Fushë Krujës, kur një burrë qëlloi mbi dronin, duke e detyruar ekuipazhin ta ulte atë, sipas këtyre burimeve dhe videos së publikuar nga Top Channel.

Tre burra të armatosur, njëri prej tyre me maskë, iu afruan ekuipazhit, i drejtuan armët dhe kërkuan që ata të largoheshin nga zona dhe të fshinin pamjet e tyre. Kur ata refuzuan, njëri prej burrave ia kapi kamerën nga dora Shkulakut, e goditi dhe e hodhi në tokë kamerën duke e thyer, sipas atyre raportimeve dhe Haxhiajt.

Ekuipazhi u largua pas rreth 30 minutash dhe më pas u takua me policinë, sipas raporteve. Policia shqiptare po heton ngjarjen dhe ka identifikuar dy nga sulmuesit, por deri të enjten nuk është bërë asnjë arrestim, sipas SafeJournalists.

Shkulaku ka pësuar mavijosje të lehta, por është mirë.

Gjatë një misioni të përbashkët për lirinë e shtypit në Shqipëri në nëntor 2022, CPJ dhe organizata të tjera për lirinë e shtypit zbuluan se siguria e gazetarëve vazhdon të jetë një problem në vend.

“Ndërsa sulmet e rënda fizike mbeten të rralla, rastet e fundit të dhunës ndaj gazetarëve nënvizojnë kërcënimet me të cilat përballen profesionistët e medias për shkak të punës së tyre. Vonesat në përpjekjet për të sjellë para drejtësisë ata që janë përgjegjës për sulmet rezulton në mosndëshkim”, thuhet në deklaratën e përbashkët.

CPJ i dërgoi email policisë shqiptare për koment, por nuk mori asnjë përgjigje.

Të fundit